Një sasi prej 4.5 ton kokainë është bllokuar në Hamburg të Gjermanisë. Bllokimi i saj është bërë nga dogana e këtij qyteti, ku sasia e drogës përllogaritet të kapte vlerën e miliona eurove.
Kjo sasi e konsiderueshme kokaine kishte mbërritur nga Uruguai në portin e qytetit Hanseatike.
Mediat gjermane kanë shkruar se kjo ka qenë sasia më e madhe e drogës e bllokuar ndonjëherë. Lajmi është bërë sot publik, por mësohet se gjetja dhe bllokimi i kokainës është kryer dy javë më parë.
Autoritetet e doganave në Hamburg janë shprehur se kontenieri ku u gjet sasia e kokainës, kishte mbishkrimin se në çanta kishte sojë.
Sasia e lëndës narkotike ishte e ndarë në 221 çanta sportive dhe në brendësi të tyre kishte 4.200 pako kokainë në total.