Disa javë pas marrjes si i pandehur nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, kryebashkiaku i Devollit, Eduard Duro, është paraqitur këtë të martë sërish në organin e akuzës. Pas qëndrimit për rreth 2 orë në SPAK, Duro deklaroi në dalje të godinës se ishte thirrur për t’u njohur me përfundimin e hetimeve.
I pyetur nëse do të japë dorëheqjen nga posti i kryebashkiakut, Duro u shpreh se do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë.
Kryebashkiaku socialist përballet me akuzën e shpërdorimit të detyrës, të ngritur nga SPAK, pas licencimit të një biznesi karburanti, i cili, sipas hetimeve, dyshohet se është ndërtuar pa leje ndërtimi.
SPAK ka nisur hetime ndaj kryebashkiakut të Devollit, pas një kallëzimi të bërë nga një subjekt tjetër, që ngre dyshime mbi ligjshmërinë e procesit të licencimit të karburantit.
Në lidhje me këtë çështje, Duro ka reaguar zyrtarisht, duke theksuar se autorizimi për shitjen e karburantit është dhënë nga sektori i tatim-taksave dhe se procesi është në përputhje të plotë me ligjin.