Një mjet ka dalë nga rruga në aksin Maminas-Gjiri i Lalëzit, pak minuta pas mesnate. Drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin dhe si pasojë mjeti është përplasur me bordurën.
Brenda në mjet kanë qenë edhe dy fëmijët e mitur të 53-vjeçarit.
Pas përplasjes mjeti ka marrë flakë, ku dalja e tyre nga mjeti ka qenë e menjëhershme. Mësohet se drejtuesi i mjetit dhe dy fëmijët e tij 10 e 16 vjeç janë në spital jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë:
“Më datë 01.08.2019, rreth orës 00:35, në aksin rrugor Maminas-Gjiri i Lalëzit, shtetasi B.K.,53 vjeç, banues në Tiranë , duke drejtuar automjetin e tij ka humbur kontrollin dhe është përplasur me bordurën, për pasojë mjeti ka marrë flakë dhe janë dëmtuar lehtë drejtuesi i mjetit, si dhe dy fëmijët e tij, 10 e 16 vjeç, të cilët ishin pasagjer në mjet”, njofton policia.
Grupi Hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.