Gjatë një aktiviteti të organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit mbi luftën kundër korrupsionit, kreu i SPAK, Altin Dumani, bëri thirrje për një angazhim më të madh të shoqërisë civile në këtë drejtim. Ai theksoi se bashkëpunimi me organizatat civile dhe analizat e tyre janë të rëndësishme për përmirësimin e performancës së institucionit.
“Shoqëria civile është e ftuar të bashkëpunojë me SPAK për tematika të caktuara. Këto analiza i shërbejnë institucionit tonë për përmirësimin e performancës. Jemi të hapur për bashkëpunime të tilla,” tha Dumani.
Në fund të muajit dhjetor, Dumani do të marrë gjithashtu kompetencat e Komisionerit Publik në KPA, duke rritur përgjegjësitë e SPAK në monitorimin dhe hetimin e zyrtarëve të drejtësisë. Ai theksoi se ligji anti-mafia është aplikuar ndaj disa subjekteve të shkarkuar nga vetingu, përfshirë gjyqtarë dhe prokurorë.
“Materialet nga procesi i vetingut janë përdorur si indicie për hetime penale. Rezultatet e hetimit administrativ na kanë ndihmuar të gjejmë prova për korrupsion,” deklaroi Dumani, duke shtuar se SPAK ka iniciuar hetime edhe për zyrtarë që janë konfirmuar në detyrë.
“Shqetësimi më i madh janë zyrtarët e konfirmuar, sepse ata vazhdojnë të jenë pjesë e sistemit dhe mund të kryejnë akte korruptive,” tha ai.
Në fund, Dumani u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë korrupsionin dhe i kërkoi institucioneve përgjegjëse të jenë më efektive në këtë betejë.
“Çdo qytetar dhe institucion duhet të bëjë pjesën e vet. SPAK është këtu për të vepruar,” përfundoi ai.