Më 23 tetor 2023, emisioni “Stop” në Tv Klan transmetoi rastin e stomatologut David Todri, i cili kishte vendosur implante në gojë për një shtetas italian.
Pas krijimit të problemeve me implantet, Todri nuk i zgjidhte ato, por e ofendonte klientin.
Pas transmetimit të këtij rasti, USSH dega Fier i pezullonte licencën Todrit për një vit.
Një vit më pas, historia përsëritet me qytetaren Valentina Alushi nga Korça, e cila kishte paguar për 6 implante, por dy prej tyre i ranë brenda ditës.
Todri ia vendosi sërish njërin, por ai nuk mbajti, duke lënë Valentinën me vetëm 3 implante pas një investimi prej 1800 euro.
Më pas, Todri i vendosi një urë-protezë që kushtonte 100 mijë lekë të vjetra, por ia shiti 1 mijë e 200 euro. Kjo protezë nuk qëndronte, duke i shkaktuar asaj vështirësi të mëdha në të folur.
Todri i tha se do të mësohej dhe i dha afat 7 ditë për t’u përshtatur, por kjo nuk ndodhi.
Në total, Valentina ka paguar 3 mijë euro dhe aktualisht nuk ka dhëmbë në gojë.