Është zbardhur dëshmia e 14-vjeçarit Mario Prelleshaj, i cili akuzohet për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij Martin Cani.
Në deklaratën e tij para policisë, Prelleshaj ka rrëfyer se konflikti mes tyre kishte nisur të premten për një arsye të vogël: sepse viktima po e shikonte.
Sipas tij, të hënën kishin rënë dakord për t’u sqaruar, por situata u përshkallëzua sërish, duke përfunduar tragjikisht.
Prelleshaj tregoi se të dy palët kishin thirrur shokët e tyre për përballjen.
“Jemi zënë të premten sepse po më shikonte. E kishim lënë për t’u sqaruar. Pastaj jemi zënë sërish të hënën. Ai lajmëroi shokët, si dhe unë shokët e mi. Gjatë përleshjes ndodhi ajo që ndodhi,” ka deklaruar ai.
I pyetur nga policia nëse është penduar për aktin e rëndë, 14-vjeçari ka refuzuar të përgjigjet.
Gjithashtu, ai nuk ka pranuar të zbulojë vendndodhjen e mjetit të krimit, duke deklaruar vetëm se nuk e kishte marrë brenda shkollës, por e kishte fshehur në një vend pranë saj.