Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, reagoi sot në foltoren e Kuvendit pas vrasjes tragjike të 14-vjeçarit në Tiranë, pranë shkollës “Fan Noli”.
Spiropali e cilësoi ngjarjen si një akt dhune të paimagjinueshëm, ku një fëmijë humbi jetën si pasojë e gjuhës së urrejtjes dhe bullizmit në rrjetet sociale. Ajo theksoi se ky incident ka pasur origjinën në dhunën verbale dhe bullizimin që ka përfshirë një pjesë të shoqërisë, duke shtuar se kjo është një formë e dhunës që duhet luftuar me çdo mjet.
Në fjalën e saj, Spiropali u shpreh ngushëllime për familjen e viktimës dhe e inkurajoi Kuvendin të bashkohet për miratimin e ligjeve që kanë si qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe fëmijëve, duke kërkuar më shumë llogari për zbatimin e ligjeve. Ajo theksoi se duhen marrë masa të menjëhershme për të adresuar bullizmin dhe dhunën në internet, duke i bërë thirrje edhe opozitës të kontribuojë në këtë betejë për një shoqëri më të sigurt dhe të drejtë.
“Detyra jonë është të reagojmë vendosmërisht, të bëhemi bashkë kundër dhunës në internet dhe rrjetet sociale, ku bullizimi është bërë normë. Kjo dhunë i ka marrë jetën një fëmije dhe ka shtyrë një tjetër në krim”, u shpreh Spiropali, duke theksuar se buxheti i shtetit nuk duhet të shpenzohet vetëm për ekonomi dhe financa, por për mbrojtjen dhe mirëqenien e njerëzve.