Seanca në Gjykatën Kushtetuese, ku do të shqyrtohet kërkesa e kreut të PD, Sali Berisha, për masën e sigurisë të vendosur nga SPAK, është shtyrë për ditën e enjte.
Berisha ka apeluar ndaj vendimit të SPAK, duke kërkuar lirinë e tij, me argumentin se ky vendim është marrë në shkelje të Kushtetutës, pasi, si deputet, është shmangur procedura e nevojshme që kërkon miratimin e Kuvendit për çdo masë ndaj tij.
“Shfuqizimin e vendimeve nr. 112, datë 20.10.2023 dhe nr. 117, datë 26.10.2023, të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 56 (87-2023-156), datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-384, datë 05.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë”,”- thuhet në kërkesën e Sali Berishës.
Me vendimin që do të marrë ndaj kërkesës së Sali Berishës, Gjykata Kushtetuese do të krijojë një precedent të rëndësishëm, duke vendosur nëse për masa të tilla sigurie duhet kërkuar apo jo miratimi i Kuvendit.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, ndodhet prej 11 muajsh nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” për çështjen “Partizani”, dhe kërkesat e tij për lirim deri tani janë refuzuar nga shkallët e ndryshme të gjyqësorit.