Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë sot ankimin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili kërkon shpalljen anti-kushtetuese të masave të sigurisë të vendosura nga SPAK, të cilat janë marrë pa autorizimin paraprak të Kuvendit.
Konkretisht, bëhet fjalë për masat “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë vendit”, të cilat Prokuroria e Posaçme ka aplikuar ndaj ish-Kryeministrit Berisha, pa kërkuar më parë miratimin e Kuvendit.
Berisha i ka cilësuar këto masa si anti-kushtetuese, duke argumentuar se ato shkelin të drejtat e tij si deputet dhe i kufizojnë lirinë personale.
Në këtë kuadër, Kushtetuesja do të shqyrtojë nëse Prokuroria Speciale ka vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Njëkohësisht, më herët avokatët e Berishës kërkuan që gjyqtarja Marsida Xhaferllari të përjashtohej nga shqyrtimi i çështjes, duke e cilësuar atë në një situatë konflikt interesi, pasi është bashkëjetuese e deputetit Enkelejd Alibeaj.
Kjo kërkesë u rrëzua nga trupa gjykuese e Gjykatës Kushtetuese.
Çështja e masave të sigurisë ndaj Berishës ka ngjallur polemika edhe më parë, pasi deputetë të opozitës kërkuan ndërhyrjen e Kushtetueses, por kërkesa e tyre nuk u mor në shqyrtim.
Pas refuzimit të masave të para të sigurisë nga Berisha, SPAK iu drejtua më pas Kuvendit për miratimin e një mase tjetër, atë të “arrest shtëpie”, ku ish-Kryeministri po qëndron i izoluar për gati 11 muaj.