Dy ditë më parë, një megaoperacion i SPAK zbuloi një rrjet kriminal ndërkombëtar që trafikonte kokainë në Shqipëri dhe Europë.
Arben Hajdarmataj, ish-drejtues i policisë, theksoi se, megjithëse suksesi i këtij operacioni i atribuohet SPAK-ut, nuk duhet harruar se operacioni është iniciuar nga partnerët ndërkombëtarë.
Ai e vlerësoi këtë si një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit mes SPAK dhe autoriteteve ndërkombëtare.
“Edhe përgjimet deri në këto momente janë bërë nga ndërkombëtarët, nëse nuk gabohem ka pasur dhe prezencë të tyre gjatë operacionit sepse dhe SPAK nuk ka institucion tjetër me kë të bashkëpunojnë”, tha ai.
Ndër të tjera Hajdarmataj nënkuptoi se mund të ketë më shumë se 10 persona të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
“Nuk është finalizuar përfundimisht operacioni, do të thotë se deri më tani kemi 10 vetë të ndaluar, por nëse flitet për gjithë këto sasira droge, ky rrjet nuk mendoj që është i mbyllur në 10 persona. Nuk e di çfarë tendence krijohet për të anashkaluar pjesën e “Kodrës së Diellit” por aty është një laborator më vete. Ajo zonë është zonë e vipave dhe thjesht ka një tendencë të minimizohet se është një laborator i mirëfilltë”.
Kemi disa laboratore që janë goditur në Shqipëri të iniciuara nga shërbimet partnere të shteteve të BE”, tha Hajdarmataj