Gjatë fjalës për projektbuxhetin 2025, kryeministri Edi Rama u ndërpre nga deputetët e opozitës, të cilët filluan të flasin dhe të kundërshtojnë pas nisjes së diskutimit për bonuset e pensionistëve.
Deputetët e opozitës u ngritën në këmbë dhe shpërthyen në reagime, ndërsa kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali, iu kërkoi disa herë që të ulnin dhe të prisnin radën për të folur.
Megjithatë, situata ka vazhduar të mbetet e tensionuar, çka e ka detyruar Spiropalin të ndërpresë seancën për një pushim.
Spiropali: Ju lutem uluni, Kryeministri po flet. Më pas keni fjalën aq sa minutazh ka kryeministri. Ju lutem z. Bardhi bëjini thirrje grupit parlamentar të ulet në vend. Ju tërheq vëmendjen uluni dhe dëgjoni parashtrimin e pr.buxhetit 2025. Z. Bardhi ju tërheq vëmendjen. Bëjini thirrje grupit parlamentar të ulet. Qytetarët na ndjekin. Do keni rast t’i shprehni të gjitha pakënaqësitë tuaja. Të dëgjojmë kryeministrin. Rregullorja përcakton që nuk mund të ndërpritet seanca. Z. Dogjani ulet. Fjalën e ka kryeministri. 5 minuta pushim, ndërpritet seanca.