Skip to content
Aktualitet

Zbuloi vjedhjen e tokave te “Rana e Hedhun”, i shkrumbojnë për herë të dytë lokalin

· 2 min lexim

Mëngjesin e djeshëm, një lokal të “Rana e Hedhun” është djegur gjatë natës. Lokali rezulton se është në pronësi të Pjetër Prelës. Ky i fundit ka denoncuar edhe skandalin me tokat tek “Rana e Hedhun”.

Kjo është hera e dytë që lokali i Prelës digjet brenda një periudhe të shkurtër kohore. Policia ka nisur hetimet, teksa zjarrvënia dyshohet e qëllimshme.

Në vitin 2017, lidhur me vjedhjen e tokave në këtë zonë, hetimet e policisë çuan në arrestimin e Kryebashkiakut të Lezhës dhe disa zyrtarëve të tjerë.

Gjithçka nisi pasi një qytetar, në korrik të vitit 2017 bëri një kallëzim penal për tjetërsimin e tokës së tij në Shëngjin.

Prokuroria regjistroi proçedimin penal në shtator të të njëjtit vit me akuzën e fallsifikimit të dokumenteve. Në 16 shkurt 2018 prokuroria e Lezhës ngriti akuzën për shpërdorim detyre ndaj zyrtarëve që ishin në hetim.

Nga hetimet e Prokurorisë rezultoi se parcelat e pronave në hetim në malin e Rencit dhe malin e Shëngjinit janë terren pyll dhe pisha, si dhe rërë.

Dyshimet u krijuan se ishin kryer veprime që binin në kundërshtim me ligjin gjatë procedurave të tjetërsimit të këtyre pronave nga institucionet por edhe nga përfaqësuesit e tyre.

Sipas Prokurorisë, mekanizmi i tjetërsimit të këtyre pronave nëpërmjet parashtrimit të rrethanave të rreme në dokumente të falsifikuara, administrimit të dokumenteve në rrethana të rreme në praktikat e ndarjes dhe deri te regjistrimet në Hipotekë.

Kjo mendohet se është edhe hakmarrja që i është bërë Prelës ndaj biznesit të tij, ku edhe ditën e djeshme i është vënë flaka, por policia është ende duke hetuar ngjarjen.