Xhezair Zganjori u shkarkua ditën e djeshme nga Komisioni i Pavarur i Apelimit, pasi ka kryer deklarime të pasakta për pasurinë e tij dhe se nuk ka burime të ligjshme për këtë pasuri.
Nisur që nga dita e djeshme, Gjykata e Lartë mbetet me një gjyqtar dhe ai është Ardian Dvorani. Ky i fundit është zgjedhur njëherësh edhe Kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Dvorani do të ketë kompetencat e përkohshme të kryetarit, deri në emërimin e një kryetari të ri të Gjykatës së Lartë. Kujtojmë këtu se Dvoranit i ka mbaruar mandati që në vitin 2014, por sipas ligjit ai mund të qëndrojë në detyrë deri kur të zëvendësohet nga dikush tjetër.
Por sipas “Pamfleti”-t, Xhezair Zganjori edhe pse u shkarkua nga kreu i Gjykatës së Lartë, do jetë në katedrën e atyre që do të përgatisë gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm të vendit tonë.
Por, sipas ligjit të ri për avokatinë, Zaganjorit i ndalohet ta bëjë këtë gjë, pasi gjyqtarët e prokurorët e shkarkuar nga Vettingu, nuk mundet që të punojnë si avokatë.
Ndaj, Xhezair Zaganjori do të jetë pedagog në disa fakultete drejtësie publike dhe private.
Fakultete nga ku do të dalin avokatët, prokurorët dhe gjyqtarët që do të vendosin për drejtësinë shqiptare në të ardhmen, edhe pse Zaganjori duhet të qëndrojë për 15 vite larg sistemit të drejtësisë, pasi nuk mundi që të justifkonte pasurinë marramendëse që ai zotëron.
Të dhënat e analizuara tregojnë se Zaganjori zotëronte një pasuri familjare prej 13.9 milionë lekësh në vitin 2003-kur deklaroi për herë të parë pasurinë.
Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e Zaganjorit është rritur me katër herë, duke kapur vlerën e 58.7 milionë lekëve. Ajo përbëhet nga 40.8 milionë lekë likujditete në bankë, 16.9 milionë lekë pasuri të paluajtshme dhe 900 mijë lekë kursime në cash.
Të ardhurat familjare të Zaganjori për periudhën deklaruese 2004-2017 kapin në total vlerën e 99.7 milionë lekëve.