SPAK ka hapur një hetim që përfshin kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci, pas sekuestrimit të telefonit të bashkëshortes së Evis Berberit, ish-drejtor i Përgjithshëm i Rrugëve, i cili është arrestuar nën akuzat për korrupsion.
Gjatë hetimeve për Berberin, SPAK kontrolloi llogaritë e tij dhe sekuestroi telefonat e tij dhe të bashkëshortes së tij, ish-zyrtare në Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare (KESH).
Në telefonin e saj, hetuesit e BKH-së zbuluan komunikime me Becin, që lidheshin me disa kontrata për shitblerjen e energjisë, në kohën kur Beci drejtonte KESH-in.
Pas këtij zbulimi, SPAK e thirri në pyetje Becin dhe e vendosi zyrtarisht nën hetim. Hetimi ka përfshirë gjithashtu marrjen e dëshmive të dhjetëra zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të KESH, si dhe disa zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
KESH është përballur me akuza të vazhdueshme për abuzime me çmimet dhe kontratat për shitblerjen e energjisë. Ky hetim pritet të nxjerrë më shumë detaje mbi përfshirjen e zyrtarëve dhe të përcaktojë nëse ka pasur dëm ekonomik për buxhetin e shtetit.