Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka njoftuar dy investime të mëdha në raportin e tij në Komisionin e Ligjeve për projektbuxhetin e vitit 2025.
Së pari, ai përmendi ndërtimin e një paraburgimi të ri në Kukës, duke nënvizuar se procedurat e prokurimit publik për këtë investim do të hidhen së shpejti në sistem nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Aktualisht, paraburgimi në Kukës nuk i plotëson standardet e duhura për trajtimin e të burgosurve. Ai theksoi se ky investim do të ofrojë mundësinë që shtetasit nga Kosova të vuajnë dënimin më afër shtëpisë së tyre.
Investimi i dytë kapital është në sistemin antidron, një masë e rëndësishme për burgjet në Peqin, Shkodër, Korçë dhe Fier, që synon të adresojë një problematikë në rritje të sigurisë nga përdorimi i dronëve.
Ministria e Financave e ka vlerësuar këtë projekt si të nevojshëm, duke shtuar fonde për të mbuluar këtë investim mbi tavanët buxhetorë të kërkuar. Sipas Manjës, dinamika e përdorimit të dronëve paraqet sfida të reja dhe kërkon masa të avancuara sigurie për institucionet e burgimit në Shqipëri.