Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, zhvilloi sot një takim të rëndësishëm me Prokuroren e Përgjithshme të Holandës, Sue Preenen, dhe ekipin e saj gjatë vizitës së tyre në SPAK.
Takimi kishte në fokus thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Holandës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Të dy palët nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë dhe ndanë përparësitë për avancimin e hetimeve të përbashkëta. Dumani vlerësoi arritjet e deritanishme, të cilat, sipas tij, kanë krijuar një bazë të fortë për adresimin e çështjeve të ndërlidhura dhe intensifikimin e hetimeve ndërkombëtare.
Nga ana e saj, znj. Preenen përgëzoi SPAK-un për rezultatet mbresëlënëse të arritura në një periudhë të shkurtër që nga themelimi i tij, duke e cilësuar punën e institucionit si mbresëlënëse dhe të suksesshme.
Gjatë takimit, u diskutuan sfidat e përbashkëta dhe u identifikuan metoda efikase për përmirësimin e shkëmbimit të shpejtë dhe të ndërsjellë të të dhënave, çka do të ndihmojë skuadrat e përbashkëta hetimore në konfiskimin dhe sekuestrimin e aseteve kriminale.
Këto takime të nivelit të lartë kontribuojnë në forcimin e përpjekjeve të përbashkëta kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe në rritjen e kapaciteteve dhe transparencës në veprimtarinë ligjore.