Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me Kryeprokuroren e Prokurorisë Federale të Mbretërisë së Belgjikës, Ann Fransen, me qëllim intensifikimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe aktiviteteve kriminale të tjera. Gjatë takimit, palët diskutuan për çështje kyçe si:
• Hetimin dhe goditjen e grupeve kriminale;
• Luftën kundër prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike;
• Gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve të krimit.
Proda dhe Fransen u dakordësuan për krijimin e skuadrave të përbashkëta hetimore dhe shkëmbimin e informacionit dhe eksperiencave, me synimin për të aplikuar metodat më të avancuara operacionale dhe policore. Ata gjithashtu vlerësuan punën e oficeres së kontaktit në Shqipëri, Eva Mielnicki.
Gjatë takimit, Proda propozoi nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi për të forcuar luftën kundër krimit të organizuar dhe kërkoi që për çdo shtetas shqiptar të dënuar në Belgjikë, të iniciohet një hetim pasuror në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Ai theksoi se Policia e Shtetit është e angazhuar të ofrojë gatishmëri, profesionalizëm dhe besueshmëri në çdo iniciativë të përbashkët.
Kryeprokurorja Fransen përgëzoi punën e deritanishme të Policisë së Shtetit dhe shprehu gatishmërinë për të forcuar më tej këtë bashkëpunim, për të siguruar qytetarët e të dyja vendeve dhe për të çuar përpara misionin e përbashkët në luftën kundër krimit të organizuar.