Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka njoftuar në rrjetin social Facebook, se të gjithë ata që duan të udhëtojnë jashtë shtetit, leja e drejtimit dhe leja e qarkullimit ndërkombëtar, mund të tërhiqen edhe te zyrat e kësaj drejtorie në Tiranë, pranë Qendrës së Kolaudimit të Mjeteve (ish-Nishraku), përveçse në Kashar.
“Shërbimi i ri i ofruar edhe në Tiranë, shmang radhët dhe kursen kohën në këto ditë të nxehta. Të interesuarit për të marrë dokumentet e lartpërmendur, duhet të kenë me vete: leje drejtimi kombëtare/leje qarkullimi kombëtar, dokument identifikimi, 1 fotografi për leje drejtimi ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Leja e drejtimit ndërkombëtare dhe leja e qarkullimit ndërkombëtare janë të vlefshme për 3 vite me tarifën 500 lekë.
Në këtë mënyrë, çdokush që është i interesuar për këtë shërbim, mund të shmangë edhe radhët e gjata, e sidomos në këto ditë të nxehta ku temperaturat janë vërtet të larta.