Mëngjesin e sotëm, banorët e Astirit janë përplasur me efektivët e policisë pranë Gjykatës së Tiranës. Banorët pretendpjnë para kamerave se janë dhunuar nga policia, ndaj edhe 3 prej tyre janë arrestuar.
“Ne ishim në mbështetje të disa banorëve të ndaluar. Erdhën mbi 30 civilë na rrethuan te dera e gjykatës dhe na dhunuan.
Na kanë qëlluar brenda ambienteve të prokurorisë dhe gjykatës. Na kanë ardhur në orën 9 të darkës polic pa letra. Po na terrorizojnë”, u shprehën banorët nga Gjykata e Tiranës.
Skënder Doda dhe Shpëtim Billa janë dy nga tre banorët e ndaluar nga policia.
Kujtojmë këtu se banorët e Unazës së Re kanë disa muaj që protestojnë në afërsi të mbikalimit te “Pallati me Shigjeta”, për të kundërshtuar projektin i cili ka planifikuar prishjen e shumë bizneseve e shtëpive të këtyre banorëve.
Në mbështetje të banorëve, ka qenë gjithmonë opozita, ku nga ana tjetër edhe banorët e Astirit kanë marrë pjesë në të gjitha protestat e opozitës të organizuara në kryeqytet.