Një ngjarje e rëndë ndodhi ditën e djeshme në Adelaide të Australisë. Një baba shqiptar vrau vajzën e tij 20-vjeçare, pasi ajo e kishte kaluar mbrëmjen me shokët e shoqet e saj në një festë.
Petrit Lekaj, 49 vjeç akuzohet se ka vrarë vajzën e tij, Sabrina Lekaj 20 vjeçe. Ajo ishte studente në universitetin e Australisë Jugore, ku mësohet se ishte një studente me rezultate të larta.
Sabrina u gjet e vdekur në makinën e saj në Adelaide, pranë shtëpisë së saj.
Një nga shoqet e ngushta të Sabrinës ka thënë për mediat e huaja se ajo ishte një pianiste e shkëlqyer po ashtu. Shoqja e saj Jana Fandi, ka treguar se ishte shumë e talentuar dhe se vdekja e saj është një tragjedi që i ka tronditur të gjithë shokët e saj.
Sabrina Lekaj u gjet pranë babait të saj të plagosur rëndë në një rrugë me emrin Adelaide rreth orës 23:00 të dielën.
Policia e Australisë Jugore lëshoi një deklaratë të martën në mbrëmje duke thënë se babai i saj, 49-vjeçari Petrit Lekaj, pritet të akuzohet për vrasjen e vajzës së tij.
Mësohet se Lekaj është duke u mjekuar në spitalin e Adelaide, ku po ruhet nga policia. Mësohet se 49-vjeçari ka shumë plagë në pjesën e barkut, por gjendja e tij është stabilizuar.
Shoqja e viktimës ka treguar se Sabrina studionte për mjekësi dhe se dëshira e saj ishte që të gjente një kurë për të gjitha sëmundjet e botës.
“Sabrina ishte shumë ambicioze Ajo ishte aty për këdo që kishte nevojë për ndihmën e saj. Ajo gjithmonë i vinte të tjerët para vetes. Ne të dyjave na ka pëlqyer shumë muzika dhe Sabrina ishte një pianiste e shkëlqyer. Ajo e donte edhe shkencën po ashtu. Ishte shumë e zgjuar, një fituese në çdo gjë.
Talenti i saj ishte i pabesueshëm. Isha krenare për të, pasi gjithmonë thoshte për diçka se mundej ta bënte edhe më mirë. Për pak javë Sabrina do festonte 21-vjetorin dhe do ishim bashkë, por është e trishtueshme, pasi ajo nuk është më”, është shprehur kështu shoqja e ngushtë e Sabrinës.