Ekipi i Donald Trump ka kërkuar përdorimin e avionëve dhe automjeteve ushtarake për të mbrojtur ish-presidentin ndërsa ai bën fushatë gjatë javëve të fundit të fushatës presidenciale, raportojnë New York Times dhe Washington Post. Kërkesa vjen pas dy tentativave të fundit për vrasje ndaj kandidatit republikan për president. Kjo vjen gjithashtu pasi fushata e Trump muajin e kaluar tha se ai ishte informuar nga zyrtarë të inteligjencës amerikane për kërcënimet e supozuara nga Irani për ta vrarë atë. Një përfaqësues i Shërbimit Sekret Amerikan, i cili është i ngarkuar me mbrojtjen e kandidatëve presidencialë, thotë se “ish-presidenti po merr nivelet më të larta të mbrojtjes”, por konfirmon se fushata e Trump kishte kërkuar më shumë.
“Shërbimi Sekret do të mbetet vigjilent dhe do të vazhdojë të rregullojë dhe përmirësojë qëndrimin e tij mbrojtës sipas nevojës për të zbutur kërcënimet në zhvillim,” thotë përfaqësuesi.
Presidenti i SHBA Joe Biden, duke folur para gazetarëve, tha se ka autorizuar sigurinë për të mbrojtur Trumpin sikur të ishte një president në detyrë dhe nëse kërkesa e Trump bie në atë kategori ajo duhet të pranohet.
Sipas New York Times, fushata e Trump ka qenë në kontakt me shefin e shtabit të Shtëpisë së Bardhë Jeff Zients dhe ushtruesin e detyrës së Shërbimit Sekret Ronald Rowe duke kërkuar asete ushtarake për të mbrojtur kandidatin republikan, i cili po përballet me Zëvendës Presidenten e SHBA Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale.