Nga ceremonia e inaugurimit të xhamisë së Namazgjasë, ku ndodhej edhe kryeministri Edi Rama, Presidenti i Turqisë Rexhep Rajip Erdogan, kërkoi një reagim të përbashkët ndaj asaj që e konsideroi si sulmet barbare izraelite ndaj popullit palestinez. Erdogan tha se janë mbi 50 mijë vellezër tanë palestinezë që janë vrarë si pasojë e sulmeve izraelite në Gaza. “Qeveria izraelite vazhdon sulmet barbare në Palestinë, sulmoi tregjet, shkollat, spitalet dhe tani Izraeli e ka çuar politikën e tij agresive në drejtim të Libanit. Është një detyrim i moralit dhe ndërgjegjes sonë njerëzore, për të gjithë ata që kanë zemër, që të reagojnë kundër terrorizmit shtetëror që aplikohet nga Izraeli në Palestinë. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar nga ky vend i shenjtë që të ndërhyjë ndaj këtij gjenocidi”, tha Erdogan.
Në mbyllje të fjalës së tij, Presidenti turk tha “shpresoj që xhamia e Namazgjasë të jetë e hajrit të sjellë dobi për myslimanët shqiptarë dhe ato të Ballkanit”.
Pjesë nga fjala e Erdogan:
“Të dashura motra dhe vëllezërit e mi shqiptarë, ka kaluar një vit nga fillimi i gjenocidit të filluar nga Izraeli në Gaza, dhe territoret palestineze. Janë 50 mijë vëllezër që janë vrarë në sulmet e izraelit, 100 mijë janë plagosur. Janë bombarduar xhamia, shkolla, vendet e pazarit dhe punës së tyre. Qeveria izraelite vazhdon sulmet barbare ndaj fëmijëve, grave, minorenëve. Izraeli e ka çuar politikën e tij sulmuese dhe barbare në drejtim të Libanit.
Është një detyrim i moralit, ndërgjegjes tonë njerëzore, për të gjithë ata që ndjejnë dhe qëndrojnë kundër terrorizmit shtetëror në Palestinë. Qeveria e Izraelit ja treguar se nuk ka ndërmend të vendosë paqe në rajon dhe këtë e tregoi me sulmin e fundit ndaj Libanit.
Të dashur vëllezër dhe motra shqiptare dhe njëherë i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar, ndaj myslimanëve duhet të kemi përgjegjësi dhe ndërgjegje dhe nga ana tjetër duhet të mbajmë një qëndrim të përbashkët. I lutem Allahut që të gjitha lutjet në këtë xhami të dëgjohen”.