Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, gjatë ceremonisë së inaugurimit të xhamisë së Namazgjasë, tha se është shumë entuziast dhe shumë i lumtur që jam këtu.
“Miku im i çmuar Edi Rama, motrat dhe vëllezërit e mi shqiptarë, më lejoni t’ju falënderoj përzemërsisht me ndjenjat e mia më të thella”, iu drejtua Presidenti Erdogan të pranishmëve në ceremoni. E financuar nga Turqia, xhamia e Namazgjasë është më e madhja në Ballkan, ndërsa Presidenti Erdogan, tha se është shumë i lumtur që ndodhet në këtë vend të shenjtë. “Themelet e saj i hodhëm në 2015 dhe uroj që ajo të sjellë mirëqënie për të gjithë shqiptarët dhe çdo besimtar mysliman në Rajon.
Dëshiroj të shpreh konsideratën, mirënjohjen, veçanërisht për mikun tim, për Kryeministrin Edi Rama, por edhe të gjithë shqiptarët që kontribuan për ndërtimin e kësaj vepre madhështore si xhamia e Namazgjasë”, tha Erdogan.
Presidenti turk tha se kjo xhami do të zërë vendin e saj në kujtimet tona që i kanë rrënjët shumë të thella, duke kaluar 6 shekuj.
Kjo xhami e cila është ndërtuar mbi 10 mijë m2, do ti shërbejë mbi 10 mijë besimtarëve myslimanë, tha Presidenti Erdogan, duke shtuar se xhamia e Namazgjasë është ndërtuar jo si një objekt kulti apo adhurimi, por do të jetë multifunksional, duke i shërbyer besimtarëve në çdo aspekt, duke përfshirë edhe sallën e konferencave, atë të studimit apo Bibliotekës.