Në fshatin Kus të Tiranës është zbuluar në një banesë një municion luftarak. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, policia ka arritur të zbulojë 1 pushkë, 2 krehra dhe sasi municioni luftarak, 1 kallëp tritoli së bashku me fitilin përcjellës dhe kapsollën, 2 granata sulmuese, 2 ndezës unifikues granatash dhe 1 thikë. Personi që posedonte municion luftarak, B. M., është vënë në pranga nga policia.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas posedonte armë dhe sende të tjera të jashtëligjshme në banesën e tij, në Kus, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Kus”.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit B. M., në fshatin Kus, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pushkë, 2 krehra dhe sasi municioni luftarak, 1 kallëp tritoli së bashku me fitilin përcjellës dhe kapsollën, 2 granata sulmuese, 2 ndezës unifikues granatash dhe 1 mjet prerës (thikë)”, njoftoi policia më 10 tetor 2024. Ndaj të arrestuarit rëndojnë veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.