Kuvendi nuk do të zhvillojë seancën plenare që ishte parashikuar të mbahej ditën e sotme, ndërsa në Tiranë do të mbërrijë presidenti turk Erdogan. Ky i fundit do të inaugurojë xhaminë e Namazgjasë, që ndodhet pranë Kuvendit, por të paktën zyrtarisht Kuvendi nuk thotë se arsyeja e anulimit të seancës plenare është vizita e Erdogan.Grupi Parlamentar i PD që kishte paralajmëruar për kaos në këtë seancës ka reaguar pas njoftimit për anulim, duke thënë se kryetarja nuk është konsultuar. Në reagim thuhet se ky është një vendim personal i Elisa Spiropalit, të cilën PD e cilëson antikushtetues.
“Anulimi i seancës me vendim personal të Elisa Spiropalit është antikushtetues dhe bie ndesh me çdo parim demokratik të funksionimit të Parlamentit. Kuvendi nuk është qelia personale në burg e Pëllumb Gjokës, që për shkak të lidhjeve me pushtetin, ai e hap e mbyll sa herë dëshiron. Kuvendi është tempulli i përfaqësimit të qytetarëve, që nuk mund të trajtohet kurrë si qelia e Pëllumb Gjokës”, thuhet në reagimin e PD.
Një pjesë e ministrave dhe deputetëve socialistë do të jenë të pranishëm në pritjen e Erdogan në Kryeministri, ku do të nënshkruhen edhe 3 marrëveshjeve mes delegacioneve të dy vendeve.
“Ju njoftojmë se seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, e planifikuar për ditën e enjte, datë 10 tetor, është anuluar dhe do të zhvillohet në datën 17 tetor, me rend dite të përbashkët, sipas kalendarit të punimeve të Kuvendit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit. Seanca e radhës plenare është caktuar më datë 17 tetor”