Enea Themollari ishte personi më i pafajshëm dhe më fatkeqi i asaj që ndodhi më datë 14 korrik në Elbasan. 29-vjeçari ndodhej në banesën e tij, në një të dielë të zakonshme, i sapo zgjuar nga gjumi, por pa e ditur se çfarë do të ndodhte me të. Ai ishte në një ditë rituale në banesë, duke shkuar në tualet, por shpërfimi i tritolit, i vendosur në derën e banesës së fqinjeve të tij, që më vonë u zbulua se ishin motrat Alda dhe Xhovana Nikolli, i mori jetën. Që nga ajo ditë, si pasojë e goditjeve të marra, dhe deri më sot, 29-vjeçari ishte në reanimacion, duke luftuar prej 3 muajsh mes jetës dhe vdekjes, por pa mundur ta fitojë betejën e fundit, përballë vdekjes.
Enea ishte i vetmi që punonte në familjen e tij, kjo sepse babai i tij ishte i paralizuar, nëna dhe vëllai ishin të sëmurë gjithashtu. E ndërsa Enea nuk ia doli të fitonte dot betejën e tij, duket se tashmë edhe më e vështirë do të jetë jeta për vëllain, nënën dhe babain e tij, që përveç hidhërimit për humbjen e birit dhe vëllait të tyre, tashmë duhet të përballen edhe me skamjen dhe vështirësitë e jetesës.
Në një prononcim për mediat, fqinjët shprehen të tronditur nga vdekja tragjike e të riut Themollari, të cilin e përshkruajnë si një djalë të qetë, i cili ndihmonte familjen e tij.
“Shumë e dhimbshme. Të jetë tjetri në shtëpinë e vet dhe të gjejë vdekjen. Ka vuajtur 2-3 muaj në gjendje kome. S’e gjetën autorin, ato dy femrat ku ikën? Ato ikën në Turqi, nuk jetojnë më këtu.”
“S’e besonim që do ndodhte kjo gjë. Çun babaxhan nga të gjitha anët. Ai e mbante shtëpinë, njëri pa fjalë. Të jesh në shtëpinë tënde të ndodhi kjo është katastrofë. S’ka më keq. Autori nuk është kapur akoma, ja shteti jonë. Vjen tjetri dhe të merr jetën në shtëpi të vet.”
“Nga i keqi e pëson i miri. Keq na vjen shumë, djalë i ri. Mjerë nëna dhe baba.”
“Në prek shumë si ngjarje, çfarë të thuash. M’u mpi trupi.”
26-vjeçari, Enea Themollari ishte komshi me motrat Nikolli dhe mbeti i plagosur aksidentalisht nga shpërthimi i tritolit pasi nuk kishte lidhje me ngjarjen. Sipas hetimeve të policisë 3 muaj më parë, shënjestër e atentatit me tritol në pallat ishin pikërisht motrat Alda dhe Xhovana Nikolli. Pikërisht kjo e fundit ka dalë në media dhe rrjete sociale duke akuzuar Nuredin Dumanin si autorin që fshihet prapa vendosjes së tritolit. Sipas Xhovanës, motra e saj Alda ka qenë më parë në një lidhje romantike me Nuredin Dumanin.
Kurse vetë Xhovana ka pasur lidhje me Amarildo Xhanej nga Shkodra, i cili është i penduar i drejtësisë pasi u arrestua në gusht të vitit 2023 në Vlorë me një armë me silenciator ku dyshohet se do të kryente një vrasje. Arrestimi i Xhanej e ktheu atë në të penduar të drejtësisë pasi përpara hetuesve ai ka rrëfyer disa krime, deklarime të cilat po verifikohen nga SPAK.
Një nga pistat ku po heton policia janë konfliktet e mundshme të vetë Xhovana Nikollit, që krahas lidhjes me të akuzuarin për vrasje, është bërë e njohur përmes videove të publikuara në rrjete sociale. Policia e Elbasanit ka njoftuar se e ka identifikuar autorin, por ende nuk ka rënë në gjurmët e tij. E ndërkohë që autori i kësaj ngjarje endet i lirë, një tjetër person vritet nga bota e krimit, që vazhdon të marr jetë të pafajshme