Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar ditën e sotme se nuk ka asnjë arsye për të pasur një konflikt në Ballkan.
Këtë ai e bëri me dije gjatë një deklarate për mediat serbe, me rastin e përurimit të linjës hekurudhore që do të lidhë Serbinë me Hungarinë, ndërsa fajësoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin për provokime.
“Nuk shoh asnjë konflikt, edhe pse Albin Kurti i provokon çdo ditë. Duhet të jemi të fortë, të ecim përpara, t’i shtyjmë gjërat përpara, të mbrojmë popullin tonë, të luftojmë për interesat e tyre në Kosovë, për popullin tonë në çdo vend, por secili ka të drejtë të mendojë çfarë të dojë. Lufta është gjëja e fundit që duhet të na ndodhë dhe shpresoj se nuk do të na ndodhë kurrë”, tha Vuçiç.
Ai përmendi gjithashtu edhe luftën në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.
“Edhe pse ju të gjithë qeshët me mua dhe më thoshit se isha “mbretëresha e dramës” dy muaj më parë, tashmë askush nuk po qesh më. Dhe siç mund ta shihni, situata më e vështirë është në Ukrainë, situata e vështirë duket edhe në Lindjen e Mesme”, tha ai.
Deklaratat e Aleksandar Vuçiç vijnë si reagim ndaj alarmit të ngritur nga Ministri i Mbrojtjes së Italisë, Guido Crosetto, i cili është shprehur i shqetësuar për situatën e sigurisë në Ballkan.
Para disa ditësh nga Gjeneva, Presidenti i Serbisë, përsërti frazën se nuk dëshiron luftë me Kosovën duke fajësuar Prishtinën dhe jo Beogradin për një qasje të tillë.