Silvio Gonzato, Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, thotë se Shqipëria duhet të kapërcejë disa pengesa madhore si korrupsioni apo krimi i organizuar, para se të hyjë në BE.
Shqipëria duhet të kapërcejë disa pengesa madhore para se të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, veçanërisht korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në një takim në Tiranë me gazetarë europianë që mbulojnë çështjet e BE-së, ambasadori Silvio Gonzato, i kushtoi vëmendje të veçantë reformës në drejtësi. Një ndër temat ku ai vuri theksin, ishte dhe çështja e të drejtës së pronës në vend.
“Kuadri ligjor i investimeve në Shqipëri duhet të përafrohet me standardet e BE -së, duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë, gjithashtu edhe për investitorët e huaj. I ashtuquajturi “ligj i investimeve strategjike” i jep status preferencial atyre që konsiderohen investitorë strategjikë, të cilët më pas përfitojnë tokë në kushte shumë preferenciale ose ndonjëherë edhe me çmim shumë të ulët, nën çmimin e tregut. I gjithë procesi që çon në përzgjedhjen e investitorëve strategjikë është disi jotransparent, veçanërisht në jug të vendit” – tha Gonzato.
Ligji i investimeve strategjike është një ndër ligjet më të debatueshme në Shqipëri. Ndër rastet e hetuara është ai i investitorit strategjik Artan Gaçi, bashkëshortit të deputetes dhe njëkohësisht ish-ministres së Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka. Gaçi, gjithashtu ish-deputet socialist, u shpall investitor strategjik nga qeveria për ndërtimin e një kompleksi turistik në Himarë, në vlerën rreth 5.5 milionë euro.
Reformat, të domosdoshme
Bashkimi Europian është një ndër investitorët më të mëdhenj të reformës së drejtësisë në Shqipëri. Duke folur për prioritetet që çojnë drejt anëtarësimit, ambasadori Gonzato u ndal edhe tek rezultatet e SPAK, strukturë të cilën e përshkroi si të ngjashme me “Anti-mafian” italiane.