Prokurori i Tiranës Bledar Valikaj ose siç njihet ndryshe prokurori që hetoi skandalin e Onkologjikut është thirrur këtë të premte në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë deklarime në kuadër të një dosje nën hetim. Mësohet se Valikaj po jep aktualisht deklarime për dosjen ‘Toyota Yaris”. Më tej bëhet me dije se deri tani janë pyetur edhe ish-funksionarë të tjerë të drejtësisë, lidhur me dosjen që çoi në pranga ish-kreun e Prokurorisë së Vlorës Aurel Zarka. Ai është parë ditën e sotme në orën 08:54 në ambientet e SPAK ndërsa shihet teksa dorëzon sendet e tij personale dhe iu drejtua zyrave të hetuesisë.
Valikaj është akuzuar publikisht si i përfshirë në këtë dosje, nga kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi. Prokurori Valikaj është bashkëshorti i deputetes socialiste Ermonela Felaj. Më herët po ashtu ai është akuzuar nga opozita se hyri në sistemin e drejtësisë si prokuror pa ndjekur procedurat e vetingut. Valikaj është prokurori që hetoi skandalin e Onkologjikut, dosje e cila i ka kaluar për kompetencë SPAK.