Kryeministri Edi Rama ka theksuar gjatë një deklarate për shtyp se Shqipëria përballet me dy sfida në procesin e integrimit evropian: detyrat që duhet të përmbushë dhe pritshmëritë nga Bashkimi Evropian, të cilat shpesh janë të paparashikueshme.
Ai shpjegoi se kur punon me Komisionin Evropian, procesi është më i qartë, por në Këshillin Evropian ka më shumë pasiguri.
Rama nënvizoi se, ndonëse Shqipëria ka përmbushur detyrat e saj, ndonjëherë “katet më lart nuk janë të gatshëm për të dëgjuar”. Ai theksoi se ka ende kohë për të ecur përpara, por theksoi nevojën për të përmbushur “detyrat e shtëpisë”. “Ka dy sfida, ajo që duhet të bëjmë ne dhe ajo që pritet prej nesh dhe ajo që është e paparashikueshme. Kur punon me KE dhe çdo gjë ecën sipas rregullave është e parashikueshme, por te Këshillit Evropian kemi pa parashikueshmëri. Ju e dini si shkojnë gjërat, ndonjëherë i ke bërë detyrat e tua, por kati më lart nuk është gati të të presë. Në atë pikë nuk bën dot gjë. Ka ende kohë për të arritur në atë pikë, për momentin ne duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë”, tha ai.
Por jo më larg se disa ditë më parë BE u shpreh se vendi ynë nuk është në hapat e duhur aq më pak në drejtimin e duhur përsa i përket hyrjes në Bashkimin Europian. Ky reagim erdhi si pasojë që Partia Socialiste kundërshtoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen Xhaçka.
Kryeministri gjithashtu vuri në dukje se kapacitetet e BE-së për të dëgjuar kanë ndryshuar ndjeshëm pas agresionit të Vladimir Putinit në Ukrainë, duke u justifikuar kështu se kjo luftë ka sjellë ngadalësimin e Shqipërisë në BE.
“Ka një ndryshim dramatik për kapacitetet e BE-së për të dëgjuar dhe kjo ndodhi pas zgjimit që bëri Vladimir Putini me agresionin e tij në Ukrainë”, u shpreh Rama.