Këshilli i Mandateve mblidhet sot, në orën 12:30, për të diskutuar mandatin e deputetit të PS-së Vullnet Sinaj.
“Vijimi i mbledhjes për mocionin nga 1/10 e deputetëve përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike “Për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj dhe dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputet Vullnet Sinaj”, thuhet në njoftim. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Mandateve, Vullnet Sinaj dhe Gazment Bardhi janë përplasur në akuza reciproke. Bardhi pretendoi se Sinaj është në shkelje të Kushtetutës pasi ka përfituar fonde publike. Por Sinaj tha se është një donator, që prej 20 vitesh është marrë me biznes.
“Ne të dy e dimë shumë mirë, ty as të tutë nuk të besojnë. Nuk të kanë dhënë firmën. i ke shantazhuar, dole në televizor në datën 6 dhe kërkesën e depozitove në datën 8, sepse nuk kishte firmat.
Por me shumë gjasa ne do të përplasemi edhe mandatin tjetër bashkë”, i tha Sinaj, Bardhit. Më herët kreu i Grupit Parlamentar të PD-së kërkoi që çështja të kalojë në Gjykatën Kushtetuese për tu diskutuar.
“S’keni pse të keni frikë, çështjen ta shqyrtojë Kushtetuesja. Nëse ju mendoni se ne gënjejmë atëherë le të jetë Gjykata që do të vendosë”, tha Bardhi.
Në mbledhjen e sotme pritet që palët të paraqesin pretendimet e tyre dhe në fund Këshilli i Mandateve pritet të dalë me një ose dy qëndrime, që i përcillen seancës plenare. Në varësi të vendimmarrjes, është Kuvendi që merr vendimin nëse çështjen ia përcjell ose jo Gjykatës Kushtetuese.
Po si është historia e deputetit Vullnet Sinaj si biznesmen në politikë?
Në vitin 2014 deklaroi 468 milionë lekë fitim, ndërsa për vitin 2015 kur u lidh me Edi Ramën, deklaroi 36 milionë lekë fitim, ose 13 herë më pak. Për vitin 2017 kur u bë deputet, deklaroi humbje 35 milionë lekë e kështu deri më 2021, ndërsa prej 2 vitesh nuk ka dorëzuar bilance në tatime.
Vërtetojnë se deputeti i PS-ës, Vullnet Sinaj, prej 9 vitesh kryen evazion fiskal e fshehje të ardhurash, nëpërmjet mashtrimit tatimor, me bilance vjetore false dhe ndarje të rrjetit “Big market” në disa pjesë. Nga 140 rrjete “Big Market”, deputeti pronar Vullnet Sinaj ka nxjerrë me humbje 67 prej tyre, të cilët i ka hequr nga logoja “Big Market” dhe i ka grupuar me logon “Bigalb Group”, të emërtuar sipas qyteteve dhe zonave. Për vitet 2020-2021, këto 67 dyqane “Big market”, deputeti Vullent Sinaj e ka nxjerrë me 62 milionë lekë humbje e me 71 milionë lekë humbje; megjithëse 51 prej marketeve janë në Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Elbasan, Lezhë, Shkodër, Korçë, Berat, Dibër Lushnje etj.
Mashtrimin tatimor me fshehje të ardhurash, oficeri deputet Vullnet Sinaj, e nisi me bilancin tatimor të vitit 2015, kur nëpërmjet mbledhjes së votave për Edi Ramën me lekë e qese ushqimesh në Vlorë, u bë “ushtar” i besuar i tij dhe pjesë e strukturave drejtuese të PS-Vlorë. Psh., në vitin 2014, kur Vullnet Sinaj nuk ishte i lidhur me Edi Ramën, bilancin tatimor për 67 dyqanet e rrjetit “Bigalb Group” e ka deklaruar me fitim 468 milionë lekë.
Në vitin 2015, kur u lidh me PS dhe financoi PS në zgjedhjet e pushetit lokal; Vullnet Sinaj deklaroi 36 milionë lekë fitim, ose 13 herë më pak se viti 2014, ndërsa në vitin 2016 deklaroi 19 milionë lekë fitim.Për vitin 2017, kur Edi Rama e bëri deputet të PS, Vullnet Sinaj i nxori 67 marketet e rrjetit “Bigalb Group” me humbje 35 milionë lekë; ndërsa pas disa denoncimeve te anti-krimi ekonomik dhe pas raportit të KLSH në tatime për evazionin fiskal të bizneseve të mëdha, ai e nxori me fitim 40 milionë për vitin 2018 e 20 milionë lekë për vitin 2019. Por siç e thamë më sipër, për vitet 2020-2021 ka deklaruar 62 milionë lekë humbje e 71 milionë lekë humbje; ndërsa për vitet 2022-2023, deputeti Vullnet Sinaj nuk ka dorëzuar bilance në tatime, duke i fshehur e mos paguar miliona Euro detyrime shtetit gjatë 9 viteve. Ndërsa Edi Rama, tha se ai është i ndershëm, korrekt me ligjin e nuk ka kërkuar asgjë nga pushteti i PS; por në vijim, do publikojmë fakte të tjera mashtrimi fiskal në dogana e tatime, me vlerë miliona Euro që deputeti Vullnet Sinaj ia fsheh e nuk ia paguan shtetit.
Po a do ketë të njëjtin fat dhe mandati i deputetit Vullnet Sinaj si i Olta Xhaçkës?
Por të njëjtat procedura ka ndjekur dhe mandati i Olta Xhaçkës i cili u mbrojt fuqishëm nga qeveria në parlamentin shqiptar duke mos e dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Ku më pas mazhoranca u justifikua se do të kërkohet një mendim Komisioni i Venecias. Mbetet për tu parë nëse mandati i Sinajt do përfundojë si i Olta Xhaçka.