Kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s tha se çështja nëse duhet të lejohet Ukraina që të sulmojë thellë brenda Rusisë me armë perëndimore me rreze të gjatë veprimi është “një vendim politik”, por nga pikëpamja ushtarake, kjo do të ishte brenda të drejtës ligjore të Ukrainës.
Admirali Rob Bauer tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 14 shtator se heqja e kufizimit nuk është çështje që NATO-ja po e diskuton, por sipas mendimit të tij, si udhëheqës ushtarak, përgjigja do të ishte po.
“Në bazë të Kartës të OKB-së dhe në bazë të ligjit për konflikt të armatosur, nëse sulmoheni nga një shtet, ju keni të drejtë ta mbroni veten”, tha Bauer. “Kjo mbrojtje nuk ndalon në kufijtë tuaj. Juve ju lejohet që të sulmoni armikun në territorin e tij”.
Bauer foli për REL-in teksa Komiteti Ushtarak i NATO-s – autoriteti më i lartë ushtarak i aleancës – u takua në Pragë për një konferencë dyditore për të diskutuar për zhvillimet strategjike brenda aleancës pas vendimeve që janë marrë gjatë samitit të NATO-s që u mbajt në korrik.
Takimi u mbajt një ditë pasi kryeministri britanik, Keir Starmer, u takua me presidentin amerikan, Joe Biden, në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar nëse duhet miratuar kërkesa e Kievit për të përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi ndaj caqeve në Rusi.
Bauer tha se kërcënimi i shprehur nga presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ish-presidenti Dmitry Medvedev, në përgjigje të këtyre diskutimeve shfaqi pakënaqësinë se si lufta po shkon, dy vjet e gjysmë pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.
“Mendoj se është dëshmi se sa të pakënaqur janë ata sepse Rusia nuk ka arritur asnjë prej qëllimeve të saj strategjike në Ukrainë”, tha Bauer.
Putin ka thënë më herët gjatë javës se Perëndimi do të ishte “në luftë” me Rusinë nëse i lejon Ukrainës të sulmojë me raketa me rreze të gjatë, të prodhuara në Perëndim, ndërkaq Medvedev tha më 14 shtator se Rusia mund ta shkatërrojë kryeqytetin ukrainas, Kiev, me armë jobërthamore nëse Perëndimi heq kufizimet e tij.
Medvedev, që tani shërben në postin e kryetari të Këshillit të Sigurisë së Ukrainës, po ashtu tha se Rusia mund të përdorë armë bërthamore.
Bauer tha se këto kërcënime duhet të merren seriozisht, por ajo se çfarë NATO-ja dhe aleatët e tjerë të Ukrainës po bëjnë “është brenda Kartës së OKB-së, brenda ligjit ndërkombëtar. Dhe ne do të vazhdojmë të veprojmë kështu”.
Në fjalimin e tij gjatë konferencës, Bauer lavdëroi ushtrinë ukrainase, e cila tha se i ka dëshmuar botës se “nuk ka asgjë që nuk mund të bëni”. Ai tha se ushtria ukrainase ka nevojë të mbështetet nga aleatët e saj për të arritur qëllimet.
“Ata do ta kenë mbështetjen, jo vetëm tani, jo vetëm gjatë luftës, por edhe në dekadat pasuese”, tha Beuer gjatë konferencës në Pragë.
Aleatët e NATO-së, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, kanë dhuruar miliarda dollarë pajisje ushtarake për të ndihmuar Ukrainën që të zhvillojë luftën dhe Bauer tha se forcat e Ukrainës po rriten dhe çdo ditë e më shumë po bëhen “gjithnjë e më ndërvepruese” me forcat e NATO-s, duke e afruar vendin më pranë anëtarësimit në NATO.
“Një ditë, ne do të ulemi së bashku nën sloganin e NATO-s”, tha ai. “Ukraina meriton mbështetjen tonë, jo vetëm për atë se çfarë qëndrojmë si njerëz, por edhe si NATO”.
Bauer po ashtu tha se NATO-ja ka nevojë për kapacitete më të mëdha të prodhimit në industrinë e mbrojtjes dhe duhet të përmirësojë koordinimin në mënyrë që të rrisë parandalimin.
Gjenerallejtënant Karel Rehka, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura çeke, po ashtu foli për luftën në Ukrainë. Ai tha se kjo luftë është çështje e mbijetesës për Ukrainën dhe luftë për parimet e demokracisë, sovranitetit dhe integritetit territorial, që janë parime për të cilat NATO-ja ekziston që t’i mbrojë.
“Është e rëndësishme që ne – që jemi në krye të ushtrive tona – të ofrojmë të gjithë ndihmën e nevojshme për Ukrainën, qoftë në formë të trajnimeve apo furnizimeve me armë dhe pajisje të tjera ushtarake”, tha Rehkha gjatë konferencës. “Duke mbështetur Ukrainën, ne po ashtu forcojmë unitetin tonë dhe mbajmë nën kontroll kërcënimin rus”.
Bauer dhe Rehka u pajtuan se ka nevojë për shpenzime më të mëdha në fushën e mbrojtjes. Rehka tha se “është e qartë se 2 për qind e Bruto Prodhimit të Brendshëm për shpenzimet e mbrojtjes nuk mjaftojnë”.
Rehka po ashtu paralajmëroi se kërcënimet nga Rusia nuk vijnë vetëm përmes fushëbeteja konvencionale, por edhe përmes taktikave hibride, sulmeve kibernetike, fushatave të dezinformimit dhe akteve të dhunës kinetike.
“Të gjitha këto veprime janë të dizajnuara që të mbjellin frikë dhe të minojnë unitetin e shoqërive tona. Ne duhet që të marrin një qasje të gjerë… që integron aftësitë tona konvencionale ushtarake me mbrojtjen e fuqishme kibernetike dhe bashkëpunimin e fortë civilo-ushtarak”.