Shqipëria mposhtet me rezultatin minimal 0-1 nga Gjeorgjia, në sfidën e vlefshme për grupin B1 të Ligës së Kombeve. Kuqezinjtë e drejtuar nga braziliani Sylvinho nuk treguan thuajse asgjë nga ajo që na mësuan në sfidën e tre ditëve më parë ndaj Ukrainës. Nga ana tjetër, miqtë nga Gjeorgjia ishin më të organizuar, ndërkohë që përfituan nga një përgjumje e mbrojtjes tonë, por edhe një pozicionim jo i saktë i portierit Strakosha, duke shënuar golin e fitores në minutën e 71’ me anë të Kochorashvili. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin e bardhë 0-0 dhe me pak raste për shënim në portat respektive. Pjesa e dytë nisi më mirë për ekipin tonë kombëtar, por munguan rastet e rrezikshme në portën gjeorgjiane. Duhej të vinte minuta e 71’ që sfida të zhbllokohej në favor të ekipit mik. Kochorashvili pas një depërtimi të mirë mes mbrojtësve kuqezi, arriti të lëshonte një të djathtë të bukur nga jashtë zone, duke mposhtur Strakoshën, i cili kishte jo pak përgjegjësi në pësimin e golit. Në minutat e mbetura, Shqipëria provoi të reagonte, madje trajneri Sylvinho provoi të ndryshonte dicka në fushë, duke hedhur forca të freskëta, por skuadra jonë nuk ia doli të reagonte. Sfida përfundoi me rezultatin 0-1 për Gjeorgjinë, që tashmë merr e vetme kreun e grupit B1 në kuotën e 6 pikëve. Nga ana tjetër, Shqipëria pëson humbjen e parë në ‘Air Albania’ nën drejtimin e Sylvinhos, duke qëndruar në kuotën e 3 pikëve në grup. Sfidat e radhës për kuqezinjtë do të jenë ato të muajit tetor, fillimisht ndaj Çekisë më 11 tetor dhe 3 ditë më pas, sërish ndaj Gjeorgjisë, këtë herë në transfertë.
Ndryshime në shpërndarjen e pasurive/ Berisha shpall reformën e re në programin e PD
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpallur një ndryshim rrënjësor në programin e PD-së, i cili synon një përmbysje...