Një ngjarje e rëndë është parandaluar në Kukës. Një i moshuar ka terrorizuar për disa orë me radhë pjestarët e familjes.
79-vjeçari është arrestuar nga policia, pasi ka kanosur me armë gjahu familjarët e tij. Ai madje u ka thënë se do djegë me benzinë edhe shtëpinë.
I. S., banues në fshatin Kalimash të Kukësit u arrestua pas njoftimit në kohë në polici. Për motive të dobta, ai shkatërroi orenditë e shtëpisë.
Më pas ai nën drejtimin e armës ka kërcënuar se do i vriste e se më pas do digjte banesën me benzinë.
Familjarët e të moshuarit kanë bashkëpunuar me policinë, duke bërë të mundur marrjen e çiftes nga duart e të moshuarit dhe një shishe benzine e çakmak që i mbante në dorë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e gjahut (çifte), disa fishekë, një shishe benzinë dhe një çakmak.
Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës e mbetur në tentativë”.