Një shpërthim i fuqishëm ndodhi ditën e djeshme në zonën e ish-Bllokut në rrugën “Vaso Pasha”. Si pasojë e këtij shpërthimi mbetën të plagosur 5 persona, të cilët tashmë janë jashtë rrezikut për jetën.
E ndërsa sot të tjera detaje janë zbardhur nga ngjarja e djeshme të ndodhur në një argjendari.
Sipas Inspektoratit Shtetëror Teknik Industrial, njëra prej bombolave ishte e mbushur me gazin propan, ndërsa tjetra me gazin kriogjen, i cili quhet ndryshe gaz teknik.
Bombola e gazit kriogjen është gjetur me valvul të hapur dhe dyshohet se ka pasur rrjedhje në tubin përcjellës mes bombolës dhe pajisjes, me të cilën punohej.
Sipas raportit të ekspertëve zjarrfikës, ngjarja e rëndë ka ndodhur për shkak të një pakujdesie.
Nga tejngopja e ajrit me gaz në prani të një shkëndije në bodrum ka ndodhur shpërthimi, i cili ka shkatërruar plotësisht argjendarinë dhe dyqanin ngjitur.
Nga forca shpërthyese është shkatërruar muri lidhës mes dy subjekteve tregtare, si dhe paneli i betonit në pjesën e tavanit. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar edhe 4 automjete të parkuara afër vendit të ngjarjes.
Të plagosur nga ky shpërthim mbetën pronarët e argjendarisë që janë edhe çift, shitësja e dyqanit dhe dy kalimtarë.
Banorët në rrugën “Vaso Pasha” ishin në panik edhe disa minuta pas shpërthimit, pasi një tjetër shpërthim mund të ndodhte sërish për shkak të vatrave të zjarrit. Policia evakuoi banorët, “blindoi” edhe zonën përreth për të shmangur lëvizjet e kalimtarëve apo të mjeteve.