Detaje të reja kanë dalë në dritë nga krimi që ndodhi të shtunën në Itali, ku një 42-vjeçar shqiptar, vrau një të ri vendas. Viktima u identifikua si Stefano Bartoli, 28-vjeç, ndërsa autor ishte shqiptari Erjon Behari. Sipas mediave italiane viktima dhe autori kishin njohje mes tyre, dhe kanë pasur mosmarrëveshje në aspektin financiar. Takimi që ishte thirrur për një sqarim mes tyre ka degjeneruar në momente tensioni, dhe më pas përfundoi me vdekjen e 28-vjeçarit para shtëpisë së Beharit. 43-vjeçari është rezident në rrugën Due Giugno në Spoleto.
Dyshimet janë se Behari ka qenë nën ndikimin e alkoolit kur e goditi Bartolin me një thikë kuzhine. Gjatë marrjes në pyetje, shqiptari ka thënë se nuk kishte qëllim ta vriste italianin, por vetëm ta trembte që të ikte, duke menduar se e kishte lënduar lehtë.
Megjithatë, ai është arrestuar nga policia për akuzën e vrasjes me dashje dhe aktualisht ndodhet në burgun e Spoletos. Autoritetet kanë sekuestruar edhe armën e krimit dhe pritet të sqarojnë më mirë dinamikën e ngjarjes. Për këtë arsye, pritet edhe autopsia mbi 28-vjeçarin.
Pasi u plagos Bartoli kërkoi ndihmë tek një zonjë e moshuar, e cila bashkë me djalin e saj u përpoqën që të bllokojnë plagën nga e cila rridhte shumë gjak. Kanë qenë ata që kanë thirrur ambulancën dhe policinë.
“Pashë një djalë duke u ngjitur në gardhin e shtëpisë dhe duke më thënë “zonjë më ndihmo, thirr ambulancën. Më kanë goditur me thikë. Isha në kuzhinë duke mbushur lavastoviljen dhe kisha dritaren e hapur”, tha e moshuara që ndihmoi të riun.
“Më pas erdhën [ambulanca] dhe e morën ndërsa në të njëjtën kohë mbërritën dhe karabinierët”, tha ajo për mediat italiane. Bartoli dhe Behari kishin njohje prej kohësh. Të dy i përkasin botës së krimit në Spoleto. Sipas hetimeve, ata janë përgjegjës si bashkëpunëtorë për vjedhjen e disa lokaleve dhe dyqaneve muajt e fundit. Bartoli kishte disa rekorde kriminale, ndërsa Behari ishte në liri me kusht për sjellje të rrezikshme në publik.