Një ndër premtimet e para të bëra nga Keir Starmer, në fjalimin e tij si kryeministri i ri britanik ishte rrëzimi i planit të qeverisë së vjetër për emigrantët në Ruanda. Laburistët thanë për The Telegraph se skema konservatore për të deportuar emigrantët që mbërrinin ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar në Ruanda në fakt nuk ekziston pasi partia u zotua ta anulonte atë nëse fitonte zgjedhjet.
Migrimi i paligjshëm është një nga prioritetet kryesore të qeverisë së re.
Emmanuel Macron, presidenti francez, i cili do të luajë një rol kyç në planet e Laburistëve për të trajtuar këtë çështje, besohet të ketë qenë lideri i parë botëror që telefonoi Sir Keir Starmer.
Të premten, Yvette Cooper, Sekretarja e re e Brendshme, tha se një nga detyrat e para të qeverisë ishte të “mbante të sigurt kufijtë” dhe se do t’i jepte përparësi formimit të një Komande të re të Sigurisë Kufitare në takimet e saj të hershme me zyrtarët.
Skema e Ruandës u njoftua fillimisht nga Boris Johnson dhe u vazhdua nga Liz Truss dhe Sunak. Është vonuar nga beteja të gjata gjyqësore, por u shndërrua në një fushë beteje në fushatën zgjedhore.
Britania mund t’i japë fund skemës së Ruandës duke e ndërprerë marrëveshjen përmes një klauzole pushimi. Mbretëria e Bashkuar ka paguar tashmë 270 milionë paund, me këstin e fundit prej 50 milionë paund të dorëzuar në prill.
Duke i dhënë fund skemës, Britania do të kursejë dy pagesa të tjera prej 50 milionë paund në 2025 dhe 2026. Marrëveshja parashikonte që Britania do të pritej të paguante për çdo migrant që tashmë ishte zhvendosur.
Askush nuk u deportua, megjithëse dy azilkërkues shkuan në Ruandë vullnetarisht në bazë të një marrëveshjeje të veçantë që i ofronte prej 3,000 paund për të shkuar atje.
Qeveria e Ruandës është gati të lëshojë një deklaratë që të shtunën, në të cilën pritet të mirëpresë qeverinë e re të Mbretërisë së Bashkuar. Keir përdori fjalimin e tij të parë si Kryeministër për të premtuar një qeveri që do të jetë në shërbim të popullit.
Kush është Keir Starmer?
Emrin ia vendosën prindërit e tij për nder të Keir Hardie, themeluesit të Partisë Laburiste anglezë. Keir Starmer lindi në Southwark, në periferi të Londrës, më 2 shtator 1962. I rritur në qytetin e vogël të Oxted, Surrey, ai studioi drejtësi në Universitetin e Leeds dhe më pas në Oksford. Si një avokat i specializuar në fushën e të drejtave të njeriut, ai u shfaq në dokumentarin McLibel të Ken Loach. Po ashtu, ka mbajtur edhe titullin “Prokurori i Kurorës” nga viti 2008 deri në 2013. Për shërbimin e kryer, e ndjera mbretëresha Elisabeth II i dha titullin ‘sir’. Por pavarësisht angazhimeve, në kohën e lirë ai shijon të ndjekë skuadrën e tij të zemrës, Arsenalin.
Me gruan e tij, Viktoria Alexander, e cila punon në sektorin e shëndetësisë, ata kanë dy fëmijë adoleshentë, të cilët përpiqen t’i mbajnë larg syrit të publikut. Nuk është rastësi që gjatë gjithë periudhës zgjedhore ai i rezistoi zbulimit të detajeve të jetës së tij personale, duke u përgjigjur në një intervistë për “The Guardian” se nuk mban mend asnjë nga ëndrrat e tij, nuk ka asnjë roman të preferuar dhe nuk ka pasur frikë nga fëmijëria.
Propozimet
Pak javë më parë, lideri laburist prezantoi pikat kryesore të programit të tij, duke përfshirë rishpërndarjen e pasurisë, përmirësimin e standardit të jetesës së punëtorëve, rritjen me 5% të taksës për të ardhurat më të larta, forcimin e shëndetit publik, heqja e ligjeve që kufizojnë grevat, heqja e boshllëqeve fiskale që lejojnë taksimin e favorshëm për fondet e kapitalit privat. Gjithashtu ai synon krijimin e një Komande të re Kufitare dhe Sigurie, me një buxhet fillestar prej 75 milionë paundësh.