Në emisionin “Open” në News24, eksperti i ekonomisë Pano Soko ngriti shqetësime të mëdha mbi nivelin e korrupsionit në Shqipëri dhe kërkoi përgjegjësi nga Kryeministri Edi Rama. Soko theksoi se korrupsioni është thelluar aq shumë sa ka prekur çdo nivel të administratës publike, që nga rojet e dyerve.
“Korrupsioni në Shqipëri është kapilarizuar shumë thellë, që nga rojet e dyerve,” tha Soko. Pas deklaratave të kryeministrit i cili ua hodhi fajin vetëm mjekëve, Soko ka kërkuar një shpjegim nga ai se si vendi ka arritur në këtë pikë. “Kryeministri Rama që ua hodhi fajin mjekëve, duhet të na thotë se si erdhëm në këtë ditë,” shtoi ai.
Soko gjithashtu theksoi kontrastin e madh në paga midis mjekëve dhe deputetëve, duke e quajtur këtë një padrejtësi të madhe dhe një nga faktorët që ushqen korrupsionin. “Nuk ka krim më të madh se njerëzve që janë në pozicionet më delikate, mjekët, që kanë në dorë jetën e njeriut, paguhen me 600 apo 700 mijë lekë në muaj, ndërkohë që deputetët marrin 3 milion lekë në muaj,” tha ai.
Duke kërkuar një analizë më të thellë të arsyeve pas korrupsionit, Soko theksoi se është e nevojshme të kuptohet pse mjekët kërkojnë para, përtej asaj që deklaron Kryeministri. “Duhet të analizojmë pse po ndodh korrupsioni, pse kërkojnë mjekët para, përtej atyre që deklaron Kryeministri,” theksoi ai.
Ai kritikoi gjithashtu Kryeministrin për mungesën e veprimit konkret dhe përqendrimin në monologë melankolikë në vend që të merret me zgjidhjen e problemeve. “Kryeministri bëri një monolog melankolik, por kjo nuk është detyra e Kryeministrit,” përfundoi Soko.