Zgjedhjet e 30 qershorit u mbajtën në vendin tonë, pavarësisht dekretimit të një date të re zgjedhjesh nga presidenti Ilir Meta.
Partia Socialiste, e vetme në garë arriti të fitonte në të gjitha bashkitë e vendit ku sërish pati edhe abuzime.
Këtë vit u vu re një pjesëmarrje e ulët në votime, por një fenomen tjetër ishte edhe numri i lartë i votive të pavlefshme.
Gjithsesi skandali më i madh qëndronte tek rezultatet paradoksale të KQZ, ku numri i votave rezultonte më i lartë se ai i votuesve.
Edhe një herë, KQZ ka publikuar shifra paradoksale përsa i përket qarkut të Elbasanit ku kryebashkiaku Gledian Llatja ka marrë 4,983 vota më shumë se numri i votuesve të deklaruar, një vëzhgim i bërë nga Instituti i Studimeve Politike.
Siç shihet nga tabela, në vendimin e KQZ thuhet se në kutitë e votimit u gjenden 35,618 vota, nga të cilat 2,089 dolën të pavlefshme dhe 44 fletë të hedhura gabim, ndërkohë që fletë të vlefshme KQZ shpall 38,479 ose 2,861 vota më shumë sesa fletët e votimit të gjetura në kuti.
Nga votat e gjetura kandidati i vetëm në zgjedhje ka fituar 100%, pra 38,479 vota nga 35,618 fletë-votimi të gjendura në kuti. Nga ana tjetër po KQZ ka deklaruar se në kutinë e votimit për këshillin bashkiak janë gjetur 40,601 fletë votimi, ose rreth 4,983 vota më shumë sesa te kutia e votimit për kryetar.