Më në fund SPAK ka nisur të rrethojë Tom Doshin, pjesë e listës së zezë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për korrupsion domethënës, një nga përfituesit më të mëdhenj të parave dhe pasurive publike, herë me imponim votash, herë me presione dhe kërcënime, herë me pazare dhe herë duke u fshehur pas personazheve të tjerë kukull, siç është rasti i ditëve të fundit, i planit të lejeve për të ngritur 13 kulla me nga 30 kate në Misto Mame, në emër të një biznesmeni.
Burime për Prapaskenën konfirmojnë se SPAK ka nisur një hetim të thelluar për Tom Doshin, duke marrë si indicie dosjen amerikane të shpalljes non grata, dokumentet konfidenciale të inteligjencës nga Australia që pretendojnë se Tom Doshi është kreu i një grupi të organizuar kriminal ndërkombëtar, raporte të shërbimeve vendase dhe partnere, investigime mediatike, të dhëna të tjera të fshehta dhe të hapura etj.
Sipas burimeve, një skuadër e Byrosë Kombëtare të Hetimit ka zhvilluar për disa ditë kontrolle masive në zyrat dhe bizneset e Tom Doshit, duke sekuestruar blloqe, telefona, dokumente, USB, kompjutera etj.
Krahas Shkodrës, kthyer prej vitesh në një çiflig i Tom Doshit, ky i fundit ka zonë të lirë ekonomike Ministrinë e Shëndetësisë dhe degët e saj, ku një administratë e tërë publike me qindra punonjës, punon natë e ditë vetëm për të kanalizuar paratë publike tek kompanitë e Tom Doshit.
Nëse ndonjë drejtor bën rezistencë, duke mos blerë ilaçet skarco, ujë me gëlqere, të Tom Doshit, e pret shkarkimi ose edhe dajaku.
Mbi 2 400 tendera me pazar në tavolinë, Tom Doshi ka marrë vetëm me anë të kompanisë Aldosch – Farma nga Ministria e Shëndetësisë dhe spitalet. Ka pasur raste që Aldosch – Farma ka marrë 50 tendera brenda një dite.
Kompania është formalisht në emër të
Aqif Hoxha, i cili në fakt është një nga duart e Tom Doshit.
Nëse SPAK do të ndjekë rrugën e parave publike që hyjnë tek Aldosch-Farma do të zbulojnë se përfundojnë tek Tom Doshi dhe se Aqif Hoxha është thjeshtë një maskë.
Rimburimi i ilaçeve për biznesin e Tom Doshit
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të kujdesit Shëndetësor ekziston dhe punon për biznesin e Tom Doshit.
Rreth 40 % e listës së ilaçeve të rimbursueshme prodhohen nga punishtja e Tom Doshit Profarma. Në listën e rimbursimit të ilaçeve për vitin 2023, qeveria ka futur edhe 143 lloje medikamentesh të prodhuara nga punishtja e Tomë Doshit.
Po i quajmë ilaçe, pasi në fakt prodhimi i Profarmës është ujë me gëlqere, pa asnjë efekt, të paktën pozitiv.
Medikamentet që prodhon Tom Doshi, janë vetëm në lisën e rimbursimit te farmacitë private, ndërsa në farmacitë spitalore nuk ka asnjë medikament të tij, mbasi në spitale punohet me protokoll të miratuar nga OBSH dhe Agjencia Europiane e Siguri-Cilësisë së Barnave.
Sipas informacinit nga Ministria e Shëndetësisë, medikamentet e Tomës, Agjencia Europiane e Siguri-Cilësisë së Barnave, i ka cilësuar jashtë standardit e me rrezik dhe pa të drejtë tregtimi, por Manastirliu, e zëvëndësuar tashmë me Albana Koçiun, ia shesin popullit në listën e rimbursimit sikur janë cilësore.
Sigurisht që Ambasada Amerikane, SHBA-të, Britania e Madhe etj., kanë informacion se shteti dhe pushteti janë gjunjëzuar para Tom Doshit.
Karteli Aldosch-Farma, 2400 tendera
Në vitin 1996, Tom Doshi, bashkë me Tonin Shpatin, themelojnë kompaninë Aldosch, me kapital 100 mijë lejë, me objekt tregtim karburanti. Nga kjo kompani, deri më sot, Tom Doshi, ka shpërndarë fitim të pakën në 11 raste, në vlera të konsiderueshme si 390 mijë USD, 250 mijë USD, 80 mijë USD, 62 mijë euro, 240 mijë USD, 260 mijë USD, 210 mijë USD, 40 mijë USD, 32 mijë USD etj.
Në vitin 2003, ortaku i Tom Doshit, Tonin Shpati themelon kompaninë Aldosch – Farma, me zyra pikërisht tek adresa e Aldosch 1, me kapital 100 mijë lekë, me objekt magazinim dhe shitje me shumicë e banane farmaceutike.
Në vitin 2009, kompania gjermane Mibe GmbH bleu 100% të aksioneve të Aldosch Farma.
Katër vite më pas, në vitin 2013, Mibe GmbH i shitit z. Aqif Hoxha te 49% te pjesëve të Aldosch Farma, për 700 mijë euro. Në vitin 2016, Aqif Hoxha, me një historik fatamzëm dhe fiktiv biznesi, blen edhe 51 aksionet e tjera për 730 mijë euro.
Ku i gjeti Aqif Hoxha 1.4 milionë euro për t’u blerë kompaninë gjermanëve? Afiq Hoxha është anëtar i këshillit mbikëqyrës i kompanisë ‘Antibiotik’, e cila kontrollohet nga kompania Aldosch, me pronar Tom Doshin. Të gjitha faktet dhe rrethanat të çojnë në konkluzionin se Afiq Hoxha është maskat e Tom Doshit
Nga ana tjetër, kompania farmaceutike “Profarma” ku deputeti Tom Doshi zotëron 49 për qind të aksioneve rezulton më e favorizuara në listën e ilaçeve të rimbursueshme nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.
Duket qartë se, që nga viti 2013, Ministria e Shëndetësisë dhe degët e saj, kanë punuar dhe punojnë vetëm për kompanitë e Tom Doshit dhe pasurimin e këtij të fundit.
Lufta për pasurim, intriga, shantazhe dhe përfitime
Sa herë interesat e Tom Doshit cenohen në sektorin farmaceutik, në politikën shqiptare ka konflikt.
Në vitin 2015, Tom Doshi kërcënoi me gjeste dhe deklarata kryeministrin Edi Rama. Kërcënoi fizikisht disa ministra, madje besohet se rrahu dy ministra, se u konfliktua me Saimir Tahirin, pasi kompanitë e tij patën disa pengesa gjatë fuqizimit.
“Mes meje dhe Ramës s’ka ma paq! Kur të flas unë më tepër do t’i dridhen themelet shumicës dhe qeverisë. Edi Rama është mosmirënjohës dhe bukëshkalë. Sapo ka filluar lufta mes meje dhe tij…”, e kërcënoi Tom Doshi Edi Ramën në vitin 2015.
Kërcënimi i Doshit erdhi pasi Rama e përjashtoi formalisht nga grupi parlamentar i PS-së, për të mbajtur Ilir Metën, i cili i mbante qeverinë këmbë. Tom Doshi mendoi se duke e përjashtuar nga PS, do të humbte privilegjet e pushtetit të ri. Dhe ky rrezik ishte i arsyeshëm dhe logjik.
Në fundit të vitit 2014, Tom Doshi dhe Ilir Meta kishin pasur mosmarrëveshje në pazare dhe miqësia mes tyre, ku shëtisnin bashkë me helikopter Alpeve, ishte krisur. Për të zmbrapsur dhe fundosu Metën, Toma sajoi atentatin e planifikuar nga Meta, për të vrarë vetë Tomën dhe Mhill Fufin.
Ilir Meta, nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash, perceptohet si koka e korrupsionit dhe pazareve në Shqipëri, besohet se fshihet pas disa atentave dhe vrasjeve, sidomos në zonën e Lezhës, por nuk besohet se kishte porositur vrasjen e Doshit.
Megjithatë, sajesa e Tom Doshit ishte bombastike dhe bëri që Sali Berisha me të tijët t’i hidhej në fyt Metës. Megjithatë, Meta, si një nga nyjet më të vjetra të krimit dhe korrupsionit në Shqipëri, arriti ta tejkalojë këtë furtunë, dhe në fund u dënuan Toma me Durim Bamimi për sajesën.
Tom Doshi kërkonte kontrollin mbi shëndetësinë në këmbim të ‘kontributit’ të tij për të sjellë PS-në në pushtet në 2013. Kërkonte kapjen edhe të sektorëve të tjerë, emërimin e drejtorëve në Shkodër, emërimin e drejtorëve të policisë etj.
Edi Ramës i interesonin balancat dhe pushteti. Rama u distancua fomalisht nga Doshi, por pa i ndërprerë paratë publike.
Vetëm dy vjet më vonë, në 2017, Rama do të afronte Doshin, ndërsa do të lëshonte Metën, një lëvizje pragmatiste nga pikëpamja e pushtetit, pasi Doshi ishte i vetëm në pasurim, ndërsa Ilir Meta kishte një ushtri nga pas. Rama zgjodhi të keqen më të vogël dhe arriti të mbante pushtetin.
Por, një vit më vonë, në 2018, Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpallën non grata Tom Doshin shkak të angazhimit të tij në korrupsion domethënës.
“Departamenti ka informacione të besueshme se z. Doshi ka qenë i përfshirë në korrupsion të rëndësishëm gjatë mandatit të tij si deputet. Në përgjithësi, korrupsioni shkakton kosto të konsiderueshme për ekonominë, shoqërinë dhe sigurinë; mund të lehtësojë krimin e organizuar; dhe degradon besimin në sundimin e ligjit dhe qeverisjes. Kjo ndikon drejtpërsëdrejti interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-ve, ekonomike dhe të jashtme, dhe, ne besojmë, dhe të vendeve partnere”, u tha zyrtarisht nga DASH.
Perandoria Doshi nuk lëkundet
Vendimi i Departamantit Amerikan të Shtetit nuk ndikoi në dobësimin e perandorisë së biznesit dhe pasurimit të Tom Doshit. Përkundrazi, Tom Doshi thelloi kapjen e sektorit të shëndetësisë dhe po ndërton kulla në zonat më të lakmueshme të Tiranës, duke nisur që në ish Bllok.
Disa muaj më parë u publikua një investigim që tregonte se agjencia kryesore e hetimeve kriminale në Australi ngre dyshime se Tom Doshi, biznesmen dhe politikan i rëndësishëm shqiptar, është në krye të një grupi kriminal vendas që kryen mashtrime emigracioni, trafik droge dhe pastrim parash.
As ky investigim nuk i ka lëkundur pozitat e Tom Doshit, ndonëse mund të ketë shërbyer si indicie nga SPAK për të nisur hetimet kryesisht.
Kujtojmë se në vitin 2015, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë kallëzoi penalisht Tom Doshin se ka fshehur rreth 14 milionë euro pasuri dhe ka bërë transferta të dyshimta me vlerën 9 milionë euro.
Doshi arriti ta mbyllte lehtësisht këtë dosje. Mbetet për t’u parë nëse Doshi do të mund t’i shpëtojë SPAK, strukturë e cila deri më sot ka treguar se është e pathyeshme./Prapaskena