Pak kohë më parë u mbajtën zgjedhjet në Serbi, ku partia e Vuçiç-it fitoi bindëshëm përballë partive opozitare.
Mirëpo kishte aludime dhe akuza të mëdha që zgjehdjet u vodhën dhe kishte parregullsi në votim. Si rrjedhojë plasën protestat e mëdha në Beograd të kryesuara nga opozita atje, që u shoqëruan me tensione politike.
Nuk ishte menjëherë e qartë se kur do të mbahen zgjedhjet në Beograd, por e diela shënoi afatin zyrtar për konstituimin e pushtetit.
“Konstatoj se aktualisht nuk ka kuorum për mbajtjen e seancës dhe ju njoftoj se nuk janë plotësuar kushtet e parapara me ligjin për vetëqeverisje lokale për konstituimin e Kuvendit të qytetit të Beogradit. Kjo do të thotë zgjedhje”, tha Toma Fila, kryetar i Kuvendit të Beogradit.
Presidenti Vuçiç dhe partia e tij i kanë hedhur poshtë pretendimet për mashtrim duke i cilësuar ato sajime me qëllim të destabilizimit të Serbisë.
Vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve, thanë në fillim të kësaj jave se votimet e dhjetorit u mbajtën në “kushte të padrejta”, pjesërisht për shkak të përfshirjes së presidentit dhe përparësive sistematike për partinë në pushtet. Raporti i një zyre të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë tha gjithashtu se zgjedhjet ishin “dëmtuar nga retorika e ashpër, animet në media, trysnia ndaj punonjësve të sektorit publik dhe keqpërdorimi i burimeve publike”.
Ai renditi një sërë rekomandimesh që Serbia duhet të përmbushë përpara zgjedhjeve të ardhshme. Politikanët e opozitës thanë se zhvillimet në Beograd dëshmuan se presidenti Vuçiç humbi pushtetin prej një dekade në kryeqytetin serb. “Sot ata pranuan se i humbën zgjedhjet pavarësisht vjedhjeve të përmasave të mëdha. Qytetarët e Beogradit kanë treguar se nuk i duan ata”, tha Vladimir Obradoviç, një kandidat i opozitës për postin e kryetarit të Beogradit. Opozita dhe disa vëzhgues lokal të zgjedhjeve thanë se votuesit nga jashtë janë përfshirë në listat e votuesve në Beograd dhe janë dërguar me autobus në ditën e zgjedhjeve për të votuar për partinë në pushtet.
Serbia është një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por presidenti Vuçiç është përballur me akuza për frenim të lirive demokratike që kur mori kontrollin mbi pushtetin në vendin ballkanik mbi një dekadë më parë./ VOA