Fjala e moçme thotë se “Revolucioni ha bijtë e vet”, por Edin a do ta hajë? Apo do të gjejnë një zgjidhje përmes Inteligjencës Artificiale? Po të ishte për oreks, Edi e ha edhe revolucionin, por…lëre! Socialistët do të ndërrojnë edhe fjalët e urta popullore, me IA. Gjithçka do të mbetet vetëm algoritëm…
E hëngri krimi! Algoritmi do ta vrasë. Edhe shqiptarët do t’i vrasë Algoritmi. Jemi mëkatarë o vëlla, ndërsa IA (Inteligjenca Artificiale) nuk të fal. Frika e vetme që kam është nëse shqiptarët mëkatarë do të mbijetojnë vlerësimin e GPT-së. Po na matën me standarde ndërkombëtare…e hëngrëm…
Nejse, socialistët janë me revolucionin. Edhe Edi!
Fjala e moçme thotë se “Revolucioni ha bijtë e vet”, por Edin a do ta hajë? Apo do të gjejnë një zgjidhje përmes Inteligjencës Artificiale? Po të ishte për oreks, Edi e ha edhe revolucionin, por…lëre! Socialistët do të ndërrojnë edhe fjalët e urta popullore, me IA. Gjithçka do të mbetet vetëm algoritëm, pra, “Nëse…”,
Dikur partia emëronte prokuror e gjykatës, por ata shpesh dështonin të korrektonin masën. Fisi, familja, njerëzit me inteligjencë natyrale përshtateshin dhe sabotonin procesin, kështu edhe e shuan dalëngadalë afshin e partisë për të përshtatur shqiptarët me komunizmin.
“Nëse praktika nuk përputhet me teorinë, ndërrojeni praktikën” thoshte Enveri, baba i revolucionit botëror socialist. Askush nuk e kishte kuptuar as besuar se shqiptarët do të bëjnë revolucion global, socialist, ose së paku kontinental. Por ja që Edi, e bëri.
Asokohe vlente edhe maksima: “Nëse populli nuk përputhet me teorinë, ndryshojeni popullin, edukojeni”. Ashtu ndodhi! U edukuan shqiptarët si askush në botë. Popull i vogël, por epik. Hoqi dorë nga qejfet, të mirat materiale, zoti dhe …bar nuk hanin por, mbijetuan.
Duroi perandoritë, duroi edhe komunizmin. Ja që na u deshën tri dekada për tu bërë sërish normal, pasi ishim bërë pos botës, ndryshe, por ja dolëm.
Edi, nga foltorja e partisë premton se prapë do prekim majat. Si dikur, e çonim komunizmin në mal e ai kthehej në Tiranë. Nuk e kishim lehtë. Bota kishte, gjithçka materiale, ne kishim idenë. Ideja e komunizmit shkëlqente në vendin më të varfër të Evropës, ashtu si shkëlqen sot në Korenë e Veriut. Të tjerët na merrni shembull. Ata e ndërtuan modelin duke ikur nga modeli shqiptar.
Nejse, kur hipi populli në anije, thamë se u zbraz Shqipëria, e pat. Por, jo, është kockë e fortë ky popull. Socializmin nuk e arriti me shpatë, nuk e arriti me kampe, drejtësinë, por Edi është plotë shpresë. Inteligjenca Artificiale, do e rikthejë drejtësinë në këtë vend.
Pra, ti kthehemi Enverit. Ai thoshte se teoria është mbi praktikën. Drejtësia është më e rëndësishme se njeriu. Edi thotë se Inteligjenca Artificiale është mbi atë natyrale. Nuk është mëkatar njeriu që nga lindja, ai mëkatoi vetëm duke e kontestuar teorinë. Pra, nuk ishte molla, ishte teoria. Tani kush e konteston GPT-në, është mëkatar. Inteligjenca Artificiale është më e ditur se njeriu. Se shqiptarët po e po. A është më e mençur? E kujt i duhet mençuria? Pastaj, me çfarë matet mençuria?
Është e ditur se dituria matet me sasi, me kilobajt, por cila është masa e mençurisë? Me paratë në konto? Me fuqinë politike? Me lumturinë? Ta pyesim inteligjencën artificiale se me çfarë matet mençuria pasi Inteligjenca Artificiale mund të jetë më e ditur se ajo natyrale.
“Mençuria nuk matet në njësi të përcaktuara siç janë kilobajtët për dituri. Mençuria shpesh matet me aftësinë e një personi për të aplikuar diturinë dhe përvojën në situata të ndryshme të jetës. Kjo përfshinë aftësinë për të kuptuar dhe zgjidhur probleme, për të mësuar nga përvoja, për të adaptuar në mjedise të reja, ose për të kuptuar dhe menaxhuar emocionet…dhe nuk ka një mënyrë të përcaktuar për të matur atë. Mençuria është më shumë se thjeshtë njohuri ose informacion – ajo përfshin edhe aftësinë për të përdorur atë informacion në mënyra të dobishme dhe efektive.”- Kjo ishte përgjigja e makinës.
Kjo ma kujtoi Edin. Kishte hallin e prokurimeve, Edi. “O Mira, më ndihmon dot?” Ka hall, Edi. Cilido nga miqtë e Edit që merr ndonjë tender, e shajnë Edin. Pse mos ka faj Edi që shoqërohet me biznesmenë? Me kë të shoqërohet, Edi?
Fjalët i mbyll vetëm IA edhe pse as Edi se lë keq. Për tu grindur, “e ke gati kurdoherë”. “ Shqipëria pavarësisht çdo cicmici apo gërr- vërri politik do të përafrojë …(thotë Edi, por këtu më iku filli) … pastaj, tha se do të ndihmojë edhe Kosovën me …ndër_vendosjen. Pastaj me patetizëm thirri “Shqiptarë e shqiptare kudo që jeni…” por këtu sërish më iku filli, pasi fjalimi ishte i gjatë.
Premtoi se IA do të qërojë në vend nesh oriz, jo çfarëdo të qëruari por qërim farmaceutik … duke na ekspozuar nga njëra anë të gjitha vargmalet e mbi_vendosjeve..! Pika, më Iku sërish filli, po kush e ndjek Edin. As IA nuk e ndjek dot. Kështu Edi, përmendi ndër_vendosje, përmend mbi_vendosje, por askund “Vetëvendosje”. Ende po mban inat Edi, me Kurtin, por Kosovën do ta ndihmojë me IA. Kaq, pra.
Nejse, sido që ta marrësh mbyllja ishte epike: “ modeli ynë revolucionar këmbë e krye nuk bën thjeshtë përkthim, por edhe një sërë shërbimesh të tjera, por në thelb na mundëson një qërim farmaceutik të gjithë thasëve të pafundme të orizit të legjislacionit tonë në fuqi.’- tha Rama. E kuptuat, jo çfarëdo orizi.
“Përsëri do të kapim majat”, vazhdoi me premtime krye socialisti. Kuptojeni, socializmi e humbi njeriun por e fitoi makinën… E çon dot në mal, socializmin, Sizif?/Pamfleti
Ky artikull është ekskluziv i Pamfletit, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Pamfletin dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016./Pamflet