Me ultimatum të SHBA, u hoq përcaktimi klientelist në projekt-ligjin e amnistisë, ku ishin përfshirë për pushim çështjesh penale, zyrtarët në proces hetimi për shpërdorim detyre, të cilët nuk kanë kaluar në proces gjykimi deri ditën e miratimit të amnistisë.
Më 23 nëntor 2023, “Pamfleti” denoncoi skenarin e Edi Ramës, për të shpëtuar nga prangat Ilir Beqjen, Olta Xhaçkën, Ëngjëll Agaçin, Rakip Sulin, Jorgo Goron e zyrtarë të tjerë të qeverisë, të cilat po i heton SPAK për “Shpërdorim detyre me fondet, tenderët, koncesionet e ankandet”.
Si mundësi për t’i shpëtuar, Rama urdhëroi grupin e punës dhe anëtarët e PS në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, që veprat penale për të cilat janë marrë nën hetim miqtë e tij ministra, drejtorë e krye bashkiakë, të përfshihen në projekt-ligjin e amnistisë së fund-vitit.
Ligji u hartua dhe u dorëzua për votim në parlament, ashtu siç kërkoi e urdhëroi Babloku, me nenin specifik që ndërpret përfundimisht hetimet e çështjeve “Shpërdorim detyre”, ndaj atyre zyrtarëve që janë në proces hetimi deri ditën miratimit të ligjit për amnistinë.
Por ditën e premte, pas dorëzimit të Projekt-Ligjit për miratim në parlament, partnerët amerikanë i kanë dhënë ultimatum Ramës të heq nga amnistia, nenet që shpëtojnë nga ndëshkimi zyrtarët në proces hetimi nga SPAK.
Me këtë ultimatum të zbatuar menjëherë, SHBA i dogji Bablokut, pazarin për të shpëtuar nga burgu zyrtarët si Ilir Beqja, Olta Xhaçka, Ëngjëll Agaçi, Rakip Suli, Jorgo Goro, madje dhe Taulant Tushën e Bashkisë së Tiranës, të arrestuar si “bedel” i Lali Erit për landfillin e Tiranës.
Për të shpëtuar miqtë vartës e sekserë të Edi Ramës, që janë në proces hetimi e në arrest me burg për “Shpërdorim detyre”; në Projekt-Ligjin e Amnistisë së fund vitit 2023, u futën dhe nenet 25, 248 e 258 të Kodit Penal, me qëllim pushimin përfundimtar të çështjeve penale ndaj tyre.
Ligjërisht, skenari i Edi Ramës, përfshinte në amnisti dhe ndërprerjen e procedimit për Sali Berishën, Ilir Metën e Monika Kryemadhin, të cilët janë nën hetim për shpërdorim detyre lidhur me aferën e ish-kompleksit “Partizani”, CEZ-DIA e pastrim parash./Pamfleti