Mbrëmjen e sotme një attentat tragjik ka ndodhur në Dukagjin.
Zef Guri raportohet se mbeti i vrarë nga breshëria e plumbave, ndërsa djali i tij Gjini ka mbetur i plagosur rëndë dhe është dërguar për mjekim në spitalin e Shkodrës.
Por Gjin Guri nuk është i panjohur për publikun. Në vitin 2015 ai hapi zjarr ndaj efektivëve të policisë, pasi po tentonin të kryenin një kontroll në parcelat me kanabis në këtë zonë. Ai u dënua me 7 vite burg për kultivim të kanabisit dhe armëmbajtje pa leje.
Por në vitin 2021, Gjin Guri do të bëhej shënjestër e një atentati, kur persona të paidentifikuar i vendosën lëndë plasëse në lokalin e tij në Shosh. Gjatë kësaj periudhe ai merrej me transport pasagjerësh nga mali i Shoshit në Shkodër.
Persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të tyre pasditen e sotme duke vrarë Zef Guri ndërsa, djali i tij Gjini, raportohet se ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Sakaq, forcat e policisë janë nisur drejt vendngjarjes, por terreni malor dhe i thyer duket se e vështirëson punën e tyre për të rënë në gjurmët e autorëve.