Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi gjatë fjalës së tij në Kuvend e vuri theksin tek sfidatme të cilat përballen pensionistët shqiptarë.
Ai u tha se “pensionistët kanë frikë të shkojnë në xhenaze, se s’hedhin dot 2 mijë lekë”, duke hedhur akuza se qeveria u ka ulur edhe pagesën e KEMP.
“I vjen turp të vijë nip e mbesa, se s’ka lekë të blejë karamele, ka frikë të shkojë në xhenaze se nuk hedh dot 2 mijë lekë.Ka frikë të ftojë njeri për drekë se është frigoriferi bosh, kanë frikë të hyjnë në dyqan të pyesin sa bëjnë një palë mbathje, deri këtu ka mbërritur situata e shumicës së pensionistëve shqiptarë. Vriten njerëzit tek posta për të marrë atë të uruar pensioni. Pyetini njëherë kur të bëni ligjin, zgjidhja duhet për të gjithë këtë fashë, ka pensionistë që kanë nevojë për përkujdesje, kanë harruar të vdesin se kanë një fëmijë çyryk në shtëpi, turp i zotit i keni ul KEMP. I gjeni të karbonizuar po u vjen era, i gjen komshija e varros komunalja. Të mos ishin refugjatët, pensionistët do kishin marrë koshat e plehrave të gjithë. Presin të prishen mollët që ti marrin në arka. I keni lënë në diell shi e breshër, vetëm pyeti se si ia dalin në fund të muajit. Ne flemë natën me kondicioneri, por pensionistët nuk marrin dot bukë gruri me kos.”, tha Korreshi.