Një aksident tragjik është regjistruar mëngjesin e ditës së sotme në Kurbin.
Policia bëri të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi më aksin rrugor Mbikalimi i Patokut-Laç, ku shtetasja M. M. 32 vjeçe, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke rënë në kanalin anësor të rrugës i cili ishte i mbushur me ujë.
Drejtuesja e automjetit është transportuar për në Spitalin e Traumës Tiranë për ndihmë të specializuar mjekësore, por rrugës ka humbur jetën.
Grupi hetimor në vendin e ngjarjes vijon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.