Ditën e djeshme një pallat te ish-Parku i Autobusëve në Tiranë u përfshi nga flakët, ndërkohë që banorët kanë treguar përjetimet e tyre për mediat. Babai i njërit prej personave që banonte në këtë pallat tha se djali i tij e kishte blerë shtëpinë me kredi.
“Kam punën këtu afër, sapo pashë tymin erdha me shpejtësi se thashë është patjetër pallati ku banon djali im. Sapo erdha këtu, akoma nuk kishin ardhur zjarrfikësit. Zjarri dha shenja në katin e dytë dhe dogji me shpejtësi pjesën sipër. Nuk ka moment më prekës, shtëpia me kredi, me këto të ardhura duhen dy jetë punë që të blej sërish të njëjtën shtëpi”, tha banori.
Një tjetër banor është shprehur se akoma nuk di se ku do të banojë. Por ai shpreson se do të ketë ndihmë nga shteti.
“70% është dëmtuar, jetonim tre veta në atë banesë. Mesa kam parë flaka doli nga kati i dytë e pastaj shpërtheu dogji pjesën lart. Më është djegur dhoma me të gjitha orenditë. 70% janë të parikuperueshme. Deri tani nuk na kanë thënë se ku të qëndrojmë, të shohim se çfarë do të na premtojnë. Në katin e fundit që u dogj plotësisht banonte një doktor, por nuk ia mbaj mend emrin”, tha ai.
Një grup i posaçëm hetimor është ngritur për të hetuar ngjarjen në fjalë se si ndodhi zjarri, që shkrumboi totalisht 3 apartamente.