Kremlini tha sot se nuk kishte asnjë koment lidhur me një artikull të gazetës New York Times sipas së cilës udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un do të udhëtojë drejt Rusisë këtë muaj për t’u takuar me Presidentin Vladimir Putin. Sipas gazetës udhëheqësit e dy vendeve pritet të diskutojnë rreth furnizimit me armë të Moskës për luftën ndaj Ukrainës.
Në një vizitë të rrallë jashtë vendit, udhëheqësi Kim Jong Un do të udhëtojë nga Pheniani, me gjasë me një tren të blinduar, drejt qytetit port të Paqësorit, Vladivostok, për t’u takuar me presidentin Putin, njoftoi gazeta New York Times të hënën, duke cituar burime të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve perëndimorë.
Po të hënën, një zyrtar amerikan, i cili nuk ishte i autorizuar të trajtonte çështjen publikisht dhe foli me agjencinë e lajmeve Associated Press me kusht që të mos i përmendej emri, tha se Shtetet e Bashkuara besojnë se Kim Jong Un do të udhëtojë drejt Rusisë brenda muajit.
Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë John Kirby, tha më 30 gusht se Shtetet e Bashkuara ishin të shqetësuara se negociatat mes Phenianit dhe Moskës mbi armët po përparonin.
Gjatë takimit në Vladivostok, një qytet port jo shumë larg nga Koreja e Veriut, dy udhëheqësit do të diskutojnë mbi dërgimin nga Pheniani drejt Rusisë të municioneve të artilerisë dhe raketave antitank, në këmbim të teknologjisë së përparuar të Moskës për satelitët dhe nëndetëset me energji bërthamore, njoftoi gazeta.
Ekspertja Patricia Lewis, nga Instituti për Çështjet Ndërkombëtare me bazë në Londër, “Chatham House” thotë se në takim synohen një sërë objektivash.
“Synohet forcimi i raportit mes dy vendeve. Po ashtu, ministri rus i Mbrojtjes Shoigu vizitoi Phenianin dhe foli për furnizimet me armë. Mendoj se Koreja e Veriut dëshiron diçka në këmbim të kësaj. Natyrisht, ajo do të donte në këmbim teknologji të përparuar për prodhimin e raketave. Mund të dojë gjithashtu që të shfaqë publikisht fuqinë me Rusinë, duke kryer prova ushtarake të përbashkëta, stërvitje detare etj. Kjo mund të jetë pjesë e diskutimeve”, thotë Patricia Lewis, drejtuese e programit për siguri ndërkombëtare, pranë institutit “Chatham House”.
Shtetet e Bashkuara thanë javën e kaluar se ishin të shqetësuara se negociatat për armët midis Rusisë dhe Koresë së Veriut po përparonin në mënyrë aktive dhe se ministri i Mbrojtjes Shoigu ishte përpjekur gjatë vizitës së tij të bindte Phenianin t’i shiste municione artilerie Rusisë.
“Deri tani kemi parë se Rusia nuk po merr atë që po i nevojitet nga Kina dhe mendoj se kjo është shumë interesante. Pra, armatimet nga Koreja e Veriut nuk do të jenë të cilësisë më të lartë, siç u premtua me parë. Është e qartë se Rusisë po i mbarojnë armatimet tani dhe ndaj po i drejtohet Koresë së Veriut. Ka shumë pak vende që Moska mund t’u drejtohet për këto lloj armatimesh”, thotë zonja Lewis.
Të shtunën, ambasadori rus në Korenë e Veriut, Alexander Matsegora, i tha agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS se ai nuk ishte në dijeni të ndonjë plani që Koreja e Veriut të merrte pjesë në stërvitjet ushtarake trepalëshe me Kinën dhe Rusinë, por se sipas tij do të ishte veprim “i duhur” në dritën e stërvitjeve të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara në rajon.
Rusia dhe Koreja e Veriut kohët e fundit kanë bërë thirrje për forcimin e bashkëpunimit ushtarak, por Pheniani ka mohuar të ketë ndonjë “marrëveshje armësh” me Rusinë.
Së fundmi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj tre subjekteve që i akuzuan se ishin të përfshira në marrëveshjet e armëve ndërmjet Phenianit dhe Moskës./VOA