Dita e sotme ka nisur me një kaos total për të gjithë përdoruesit e kompanisë celulare “ONE”. Për rreth më shumë se 3 orë shërbimi i kësaj kompanie ka qenë jashtë funksionit, pra praktikisht klientët nuk mund të kryenin as telefonata, as të dërgonin sms apo të ndërvepronin me internet. Të gjendur në këtë gjendje skandalzoe që ofron një nga kompanitë bazë celulare në vend, ata janë dyndur rreth pikave të rrjetit. Për ‘Gazetën Reforma” qytetarët bëjnë me dije se përgjigjia e vetme dhe standard nga punonjësit ishte: Ka probleme rrjeti në të gjithë Shqipërinë.
Në rrjetet sociale, përfshi edhe faqen e kompanisë në Facebook ata shprehen të indinjuar nga mungesa e përgjegjësisë nga ana e “One”.
Reagimi i kompanisë
Dëshirojmë të informojmë abonentët e One Albania se kemi pasur disa probleme teknike, të cilat për fat të keq për disa prej tyre kanë çuar në ndërprerje të përkohshme të shërbimeve të rrjetit 4G.
Ne duam t’ju sigurojmë se të gjithë ekipet tona kanë qenë plotësisht të angazhuara dhe të përkushtuara për zgjidhjen e problemeve, duke rikthyer shërbimin për të gjithë abonentët e prekur, në kohën më të shpejtë të mundshme.
Kërkojmë shumë ndjesë për çdo shqetësim që mund të ketë shkaktuar kjo situatë dhe duam të shprehim mirënjohjen tonë të përzemërt për durimin tuaj.
Për çdo pyetje ose sqarim, lutemi mos hezitoni të kontaktoni ekipin tonë të kujdesit ndaj klientit në numrin 123.