Mëngjesin e ditës së sotme një aksident i rëndë ndodhi në Ksamil ku humbën jetën dy turistë italianë. Ata u përplasën nga një makinë që drejtohej nga një adoleshent 17-vjeçar. Ky i fundit ka qenë në makinë së bashku me një tjetër të mitur, të cilët mbetën të dy të plagosur dhe u dërguan në spital.
Ndërkohë që shefi i Policisë Rrugore të Sarandës, nënkomisari A.Sh., është pezulluar nga detyra pas aksidentit.
Bëhet me dije se vendimi është marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili ka urdhëruar gjithashtu ngritjen e një grupi të posaçëm, me specialistë nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti për Sigurinë Publike (Drejtoria e Policisë Rrugore) në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të analizuar rastin, për të nxjerrë përgjegjësitë në lidhje me shkakun e ndodhjes së këtij aksidenti, si dhe për menaxhimin në tërësi të qarkullimit rrugor në territorin e Bashkisë Sarandë.
Shefi i Rrugores së Sarandës u pezullua nga detyra për shkelje të rëndë të atributeve/kompetencave të Policisë, në lidhje me pasojat e aksidentit të ndodhur.
Gjithashtu, ka nisur menjëherë hetimi administrativo-disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, për mospërmbushje të procedurave standarde të punës, në lidhje me marrjen e masave për parandalimin e aksidenteve rrugore, gjatë sezonit turistik.